Jep dorëheqjen kryetarja e Gjykatës së re të Rrethit Gjyqësor në Durrës Joana Qeleshi. Në letrën e dorëheqjes, ajo shprehet se ka vendosur të punojë në sektorin privat.
“Pavarësisht pasionit tim për profesionin e gjyqtarit, duke qenë se më është ofruar një mundësi profesionale me preferencën dhe ekspertizën time në fushën e Shoqërive Tregtare, kam vendosur të ndjek një stad të ri në karrierën time, duke iu përkushtuar sektorit privat.
Mundësia që më është ofruar në këtë sektor në pozicionin e Drejtores Juridike pranë Spitalit Amerikan, paraqitet si sfidë e re profesionale për mua”, shkruan Qeleshi tek letra e dorëheqjes.
Joana Qeleshi nuk i ishte nënshtruar ende procesit të vetting-ut. Çështja e fundit që kishte marrë në dorë Qeleshi dhe u diskutua në publik, ishte rasti i dhënies së mandatit për Valbona Sakon si kryetare e bashkisë Durrës.
Edhe pse Gjykata e Durrësit kishte marrë një vendim për mos njohjen e mandatit të Sakos, pas dy ditësh e njëjta çështje u gjykua në të njëjtën Gjykatë ku drejtonte Qeleshi, duke i dhënë mandatin Sakos.