I dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer bëri thirrje për rifillimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë ndërsa u shpreh i zhgënjyer për moshapjen e negociatave.
Në një seancë të Komisionit të Jashtëm të Senatit, Palmer se emërimi i tij dhe i të dërguarit të posaçëm për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell është shenjë e angazhimit amerikan në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai tha se vendimi i Këshillit Europian, dërgon sinjalin tek vendet e tjera se dera për në BE është mbyllur, por mund të sjellë pasoja edhe në bisedimet Prishtinë-Beograd.
“Vendimi përcjell mesazhin e gabuar tek Beogradi dhe Prishtina dhe mesazhi është: mund të bëni gjëra të vështira, mund të bëni zgjedhje të vështira, mund të arrini kompromis dhe në fund të fundit t’ju mohohet rruga përpara drejt Evropës”- tha Palmer siç citon VOA.
Në seancë nuk u përmend ndonjë afat për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Por Palmer bëri thirrje: “Ne presim që qeveria e re e Kosovës të demonstrojë angazhimin për objektivat e përbashkëta duke hequr tarifat ndaj mallrave serbe dhe boshnjake që kanë dëmtuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Nga ana tjetër, Serbia duhet të heqë dorë nga fushata për të delegjitimuar Kosovën në komunitetin ndërkombëtar”.
Sipas Palmer, Shtetet e Bashkuara duan të shohin një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ndërsa përsa i përket idesë së ndryshimit të kufijve thotë se u takon palëve të vendosin.
“A do të jenë apo jo kufijtë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, u takon palëve të vendosin nëse kjo është një zgjidhje e pranueshme”.
Por siç raporton “Zëri i Amerikës” Palmer e njohu realitetin e ri politik në Kosovë kur tha se partitë politike fituese të zgjedhjeve në Kosovë e kanë bërë të qartë se nuk duan të flasin për çështjen e ndryshimit të kufijve.
Ai tha se zgjedhjet e 6 tetorit ishin të rëndësishme për Kosovën, pasi do të sjellin qeverinë e parë që nuk drejtohet nge ish-pjesëtarë të UÇK-së.