Lajmi për vdekjen e 39 personave në një kamion në Britaninë e Madhe qe mjaft tronditës jo vetëm për britanikët, por dhe për vendet e tjera. Viktimat ishin emigrantë që tentonin të hynin ilegalisht në Britani.
Ekspertët kanë filluar hetimet. Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani tha që kishte dërguar oficerë për të ndihmuar dhe identifikuar çdo “grup të krimit të organizuar që mund të kenë luajtur një rol” në vdekjen e 39 personave, shkruan “BBC”.
Viktimat kanë pasur një vdekje të ngadaltë dhe të tmerrshme. Richard Burnett, shefi ekzekutiv i Shoqatës së Transportit Rrugor, tha se rimorkio dukej të ishte një njësi frigoriferike, ku temperaturat mund të ishin të ulëta deri në -25C. Ai i përshkroi kushtet për këdo që mund të qëndronte brenda si “absolutisht të tmerrshme”.
Ekspertët thonë se thirrjet e tyre për ndihmë ranë në vesh të shurdhët pasi shoferi nuk i dëgjonte dot. Kur kamioni mbërriti në Britaninë e Madhe, nuk kishte gjë tjetër veçse një ‘tufë’ me trupa të vdekur.
Kamioni kishte ardhur në Britani nga Bulgaria. Kjo u konfirmua dhe nga një zëdhënës i ministrisë së punëve të jashtme bullgare, i cili tha se kamioni ishte regjistruar në vend.
“Kamioni Scania ishte regjistruar në Varna (në bregun lindor) nën emrin e një kompanie në pronësi të një shtetasi irlandez”- tha ai.
Mirëpo sipas policisë bullgare, nuk ka shumë gjasa që viktimat të jenë shtetas bullgarë. Kamioni kishte ardhur nga Irlanda.
Një anëtar i Shoqatës së Transportit të Transportit (FTA) tha që kamioni mund të kishte marrë një traget nga Franca në Irlandë, më pas ka lëvizur nëpër Irlandë para se të hipte në një tjetër anije për në Britani.
Fakti që kamioni mbërriti në Holyhead të shtunën, i bie që viktimat mund të kenë qëndruar në pjesën e pasme të automjetit për të paktën katër ditë, sipas “Daily Mail”.
Kryeministri Boris Johnson tha se kjo ishte një “tragjedi e paimagjinueshme” dhe ai kishte mbetur “zemërthyer”.
Johnson tha se “të gjithë tregtarët e tillë të qenieve njerëzore duhet të përndiqen dhe të paraqiten para drejtësisë”.