Vendosni fjalën kyçe....

Drogë e municione luftarake në Mirditë, 5 të arrestuar


Pesë persona janë arrestuar nga policia në Mirditë, ndërsa u janë sekuestruar armë, drogë dhe municione luftarake.

“Në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut Lezhë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, nga Policia e Mirditës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Bulshar”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: J. N .,28 vjeç, F. Rr., 27 vjeç, K. L., 29 vjeç, N. Rr., 28 vjeç dhe N. L., 59 vjeç, të gjithë banues në fshatin Bulshar, Mirditë.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas uniformave blu, ka patur informacione se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin po përgatisnin një sasi lënde narkotike në doza të vogla, për ta shpërndarë, kanë ushtruar kontroll në vendin ku ata qëndronin, një godinë e braktisur, në fshatin Bulshar. Si rezultat, Policia ka sekuestuar sasinë e lëndës narkotike dhe ka arrestuar 5 shtetasit e lartpërmendur.

“Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e këtyre shtetasve, në banesën e shtetasit K. L. , u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri kallashnikov, me 30 fishekë. Në vijim të veprimeve, Policia arrestoi në flagrancë shtetasin N. L., 59 vjeç, banues në Bulshar, Mirditë.

Materialet iu referuan prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në ngarkim të shtetasit J. K. për vepren penale “Moskallëzimi i krimit”, për shtetasit F. RR., K.L dhe N. RR., si dhe për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak” në ngarkim të shtetasit N. L.”, sqaron më tej policia.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *