Presidenti i vendit, Ilir Meta, pas takimit që pati me homologun e Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, i kërkoi politikës shqiptare të reflektojë pas vendimit të BE-së për mos-hapjen e negociatave.
Duket se Meta i dërguar një mesazh të koduar Ramës, kur tha se liderët maqedonas reflektuan dhe treguan pjekuri, duke iu referuar vendimit të kryeministrit Zoran Zaev për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.
Meta tha se edhe tek ne duhet një reflektim urgjent ndërsa shtoi se duhen forcuar marrëdhëniet me vendet që na vunë veton si: Franca, Danimarka e Holanda.
“Kemi reflektim në Maqedoni, përmes zgjedhjes, që tregon dhe pjekurinë e tyre. Edhe te ne duhet të kemi një reflektim të menjëhershëm dhe të lexojmë me vëmendje të gjithë detyrimet që duhet t’i kishim përmbushur dhe që duhet t’i përmbushim. Duhet të forcojmë raportet dhe bashkëpunimin me vendet kritike, Francë, Holandë, Danimarkë, Spanjë, etj. Duhet t’i bindim për seriozitetin tonë.
Nuk mjafton të themi Franca ka këto probleme të brendshme dhe po na përdor ne, nëse ne jemi një burim i shqetësimeve të brendshme të tyre, sa i takon krimit, azilkërkuesve. Ne duhet të reagojmë me shumë përgjegjshmëri dhe në mënyrë të besueshme, në mënyrë që këto shqetësime të shuhen në javët e muajt në vijim. Dhe të bëjmë të qartë që ndërsa jemi të gatshëm të përmbushim çdo detyrim, çdo ide tjetër dhe informale qoftë, çdo alternativë tjetër, është e papranueshme dhe është e padobishme”, tha Meta.