Vendosni fjalën kyçe....

Mashtroi për provimet e së bijës, lirohet nga burgu aktorja Felicity Huffman


Pas 11 ditësh në burg, lirohet aktorja Felicity Huffman. “CNN” shkruan se aktorja e serialit “Shtëpiaket e Dëshpëruara” u lirua të premten nga një burg federal në Dublin, Kaliforni, ku vuante një dënim dy-javor për rolin e saj në mashtrimin e pranimeve në kolegj.

Huffman ishte e para nga më shumë se 30 prindër të akuzuar për mashtrim lidhur me rezultatet e provimeve të fëmijëve të tyre. Aktorja u deklarua fajtore për komplot pasi pagoi 15.000 dollarë që përgjigjet e provimit të vajzës së saj për pranimin në kolegj të korrigjoheshin fshehurazi në vitin 2017.

Ajo u la e lirë për shkak të një politike që i lejon të burgosurit të largohen para datës së përcaktuar nëse “bie të shtunën, të dielën, ose në festa zyrtare”.

Felicity Huffman do ta vuajë pjesën e mbetur të dënimit në mbikëqyrje dhe me 250 orë shërbim në komunitet.

Në një letër drejtuar gjykatës, aktorja u përpoq të shpjegojë pse ajo e kreu krimin. Huffman pranoi para gjykatës se i vinte turp për atë që kishte bërë, por theksoi se kishte mashtruar duke u përpjekur të ishte një nënë e mirë për vajzën e saj edhe pse rezultoi e kundërta.

Aktorja është fotografuar në hapësirën e jashtme të institucionit të dënimit, e veshur me uniformë burgu të gjelbër dhe kapele në kokë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *