Vendosni fjalën kyçe....

Pendarovski pas takimit me Metën propozon një samit të jashtëzakonshëm për negociatat


Stevo Pendarovski është pritur sot në një takim nga presidenti Ilir Meta, ku kanë folur për çështje të shumta, mes tyre dhe për vendimin e BE-së për të mos hapur negociatat me dy vendet.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, kërkoi një bashkëpunim më të fortë ekonomik mes dy vendeve, e madje propozoi edhe një samit të jashtëzakonshëm që mund të zhvillohet në Maqedoninë e Veriut për çështjen e negociatave.

“Së pari dua të falënderoj mikpritësin tim zotin Meta për ftesën të vizitoj Republikën e Shqipërisë dhe pritjen miqësore. Marrëdhëniet mes dy vendve shënojnë një trend pozitiv zhvillimi. Kënaqësi për nivelin e arritur në marrëdheniet bilaterale. Bashkëpunimi ynë është shumë frytdhënës. Ne na lidhin shumë gjëra, historia e përbashkët, gjeografia e përbashkët, e ardhmja e përbashkët euroatlantike dhe sfidat e përbashkëta.

Në takim e informova presidentin Meta për takimin e liderëve që është mbajtur pak kohë më parë për të vazhduar rruga europiane dhe të mbahen zgjedhjet parlamentare. Zotimi ynë të inkurajojmë faktorët në dy shtetet tona të vazhdojnë reformat. Propozova që Shtetet e Ballkanit Perëndimor në javët e ardhshme të mbajnë një samit të jashtëzakonshëm në Maqedoni për çështjen e negociatave.
Ky bashkëpunim me intensitet të pazbuluar të vazhdojë edhe të ardhmen. Energjinë tonë ta shpenzojmë dhe në bashkëpunimin ekonomik që nuk reflekton marrëdhëniet e mira politike”, deklaroi Pendarovski, i cili gjithashtu tha se ka propozuar një grup miqësie mes dy vendeve.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut ka mohuar të ketë kërkuar ndarje të vendimit për hapjen e negociatave nga Shqipëria.

Meta tha se ndan të njëjtin mendim me Pendarovskin se e vetmja rrugë dhe alternativë për të dy vendet është anëtarësimi në BE, dhe se një gjë e tillë duhet të ndodhë sa më shpejt.

 Sa i takon Shqipërisë, Meta tha se duhet të bëjë përpjekje shumë të mëdha për të qenë i besueshëm për Bashkimin Evropian.

“Nuk jemi të lumtur për zhvillimet e fundit lidhur me negociatat për të dy vendet, por është tepër e qartë se ndajmë një qëndrim të përbashkët që e vetmja rrugë dhe e vetmja alternativë për dy vendet tona, por edhe rajonin tonë, mbetet anëtarësimi në BE.

Me këtë drejtim do të forcojmë përpjekjet tona si në planin e brendshëm, edhe në bashkëpunimin mes vendeve dhe me vetë BE, në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur të kemi zhvillime pozitive në këtë drejtim. Çdo ide tjetër do të ishte e papranueshme për një rajon që është aq jetik për të ardhmen e vet kontinentit.

Sa i takon Shqipërisë jam i sigurt se do na duhet të bëjmë përpjekje shumë më të mëdha për të qenë i besueshëm dhe besoj se platforma më e mirë e reagimit dhe reflektimit në raport me Be mbetet platforma e miratuar nga Bundestagu”, u shpreh Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *