Vendosni fjalën kyçe....

“Shengeni Ballkanik” – Albin Kurti: Më shumë ide sesa projekt, pres ta shoh në letër


Në Tiranë po mbahet Samiti për Paqen në Evropën Juglindore, ku kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti në një bashkëbisedim me gazetarët tha se do të punojë për bashkëpunim me Shqipërinë pavarësisht diferencave me kryeministrin Edi Rama.

“Mundësitë që kemi si qeveri dhe nevojat që kanë qytetarët janë shumë më të mëdha sesa realiteti që gëzojmë të gjithë. Prandaj ne duam që të krijojmë sa më shumë ura dhe Kosova dhe Shqipëria t’i ndihmojnë shqiptarët që të mos jenë më më të varfrit dhe më të nëpërkëmburit jo vetëm në Ballkan.”, tha Kurti.

Ai tha se do të punojë që dallimet që ka me kryeministrin shqiptar Edi Rama, të mos ndikojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Ne kemi diskutuar për çështjet dhe temat që do të bashkëpunojmë.

Ne nuk kemi patur marrëdhënie të çregulluara, ne jemi njerëz të ndryshëm, politikanë të ndryshëm dhe ne duam të bashkëpunojmë në mënyrë që dallimet që kemi ose mospajtimet që kemi kurrsesi të mos rrezikojnë bashkëpunimin tonë duke qenë se nuk jemi dy persona të veçantë por dy funksione.”, tha Kurti.

Ndërsa përsa i përket idesë për një “Shengen Ballkanik” mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë, Kurti tha: “Unë pres që të shoh një teks se çfarë saktësisht nënkupton ai. Sepse më shumë më ngjan me një ide sesa me një projekt. Pra duhet ta shohim projektin në letër. Tash për tash mbetet ide”.

Gjatë fjalës së tij në këtë Samit, Kurti tha se ai ndihej si në shtëpinë e tij. Sipas Kurtit, këto Samite janë shumë të vlefshme, për t’i bërë njerëzit bashkë dhe për të shembur muret e ndasive mes vendeve.

“Ndihem si në shtëpi edhe në Tiranë, por si në Prishtinë. Këtu njerëzit bëhen bashkë dhe e bëjnë këtë për paqe. Bashkimi për paqe është kushti për paqe të qëndrueshme e cila më tutje mundëson të lulëzojnë popujt, shtetet dhe mbarë shoqëria njerëzore. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për ide që na udhëheqin, por edhe ide që na bëjnë bashkë. Ndër rreziqet më të mëdha është ndarja dhe përcarja. Ndaj, samite të tilla janë të vlefshëm për të ardhmen. Njerëzit jetojnë dhe lulëzojnë në bashkësi, kjo është detyra jonë kryesore: Kudo që mundemi t’i bëjmë njerëzit bashkë. Angazhimi për paqen garanton përparimin. Para 30 vjetëve ka rënë muri që na ndante në kohën e luftës së Ftohtë, që mori fund, mori ftohtësitë e ndryshme pa luftë e nganjëherë edhe me luftë kanë vazhduar se në vend të një muri të madh kemi shumë mure të vegjël që na ndajnë midis nesh e brenda nesh. Për t’i hequr këto mure të vogla që na ndajnë, është e domosdoshme të themi që kemi nevojë për paqe, se nuk ka alternativë të mirë ndaj paqes. Është e domosdoshme që për paqe ne t’i bëjmë aktive vlerat e përbashkëta, republika e Kosovës, e Shqipërisë, dhe vende të tjera në Ballkan duan të anëtarësohen në BE, në NATO, dhe pikërisht ky interes ynë i përbashkët duhet të bëhet sa më aktiv në rajon dhe më gjerë, në mënyrë që stabiliteti afatgjatë të jetë pasojë e drejtpërdrejt e zhvillimit të drejtësisë dhe demokracisë që duhet t’i ndërtojmë mes vendeve tona.

Në Kosovë nëse i pyet shqiptarët serbët e të gjitha pakicat se cilat janë preokupimet kryesore njëzëri do thonë se janë punësimi dhe drejtësia. Të rinjtë duan vende pune që të fitojnë me djersën e tyre, dhe duan drejtësi të mos ketë të diskriminuar dhe të privilegjuar. Me zërin e qytetarëve që kemi dëgjuar, si Vetëvendosje kemi arritur të fitojmë zgjedhje, dhe tashmë puna më e madhe ndodhet para nesh: T’i plotësojmë zotimet tona” – tha Kurti./Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *