Ekstradohet nga Italia një i ri shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Bëhet fjalë për 28-vjeçarin Kejvi Hysa, i lindur në Kurbin, i cili sipas policisë akuzohet për vrasjen e pronarit të një autolavazhi, ngjarje e ndodhur në vitin 2015.
Policia thotë se më 10 korrik 2015, 28-vjeçari me dy personat të tjerë kishin dhunuar pronarin e një autolavazhi në Sarandë me shkop bejsbolli dhe tytën e pistoletës, dhe më pas e kanë qëlluar për vdekje me plumba.
“Ekstradohet nga Interpol Tirana një tjetër shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për Vrasje
U krye ekstradimi nga Milano/Itali drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar K. H., 28 vjeç, lindur në Kurbin.
Shtetasi K. H. ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, në vitin 2015 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”.
Më datë 10 korrik 2015, rreth 02:00, në Sarandë, si rezultat i një mosmarrëveshjeje për motive të dobëta mes pronarit të një autolavazhi makinash, shtetasit E. M., me shtetasit G. H., E. H. dhe K. H, këta të fundit e goditën me shkop bejsbolli dhe me tytën e pistoletës. Pas kësaj një nga autorët iu afrua dhe qëlloi në drejtim të shtetasit E. M., i cili gjeti vdekjen e menjëhershme.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali dhe ekstradimi drejt vendit tonë.