Vendosni fjalën kyçe....

Fermerët e Myzeqesë protestojnë më 30 tetor, 5 kërkesat ndaj qeverisë


Fermerët e Myzeqesë kanë lajmëruar organizimin e një proteste të mërkurën më 30 tetor.

Protesta do zhvillohet në vendin e quajtur Rrotondo e Savrës deri te Rrotondo e Plastmasit në Lushnjë në orën 11:00.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat, grupi organizator thekson se ai do jetë paqësor dhe bëhet për të sensibilizuar qeverinë dhe opinionin publik për gjendjen e vështirë që po kalojnë fermerët dhe blegtorët e Myzeqesë.

Ata do parashtrojnë 5 kërkesa gjatë tubimit duke kërkuar mbështetje financiare në formë subvencionesh, kompensim financiar për produktet, rregullim të shkallës së TVSH-së, disa shërbime nga Ministria e Bujqësisë si dhe rregullimin me ligj të tregtisë.

Njoftimi

‘Njoftojmë fermerët e Myzeqesë se grupi nismëtarë i krijimit të Shoqatës  organizon  me datë 30.10.2019 ditë e Merkurë ora 11:00 në rrugën   nga Rrotondo e Savrës deri tek Rrotondo e Plasmasit në Lushnjë një Tubim paqësor.

Ky manifestim bëhet për të sensibilizuar Qeverinë dhe Opinionin Publik  në lidhje me situatën e vështirë që po kalojnë fermerët dhe blektoret e Myzeqesë si rezultat i çrregullimit të tregut. Ne këtë tubim  do të parashtrohen sërish  5 (pesë) kërkesat tona për Qeverine e cila nuk ka patur asnjë reagim  zyrtar  ne lidhje me këto kërkesa . Ne vlerësojmë  se kjo situatë është rezultat i politikave te gabuara te qeverive ne fushen e bujqësisë.

Për të ndryshuar situatën kërkojmë:

1-) Mbështetje financiare direkte  për fermerët duke na subvencionuar për cdo  njësi produkti te hedhur ne treg kundrejt  faturës  tatimore të shitjes dhe stimulim te eksportuesve te cilet jane  promotore te zhvillimit te bujqësisë.

2-) Vlerësim dhe kompesim financiar  me cmim dysheme të tregut për produktet e humbura nga fatkeqsitë natyrore dhe stogun e produktit të shkaktuar nga crregullime të forta të tregut.

3-) Rregullim  në paketen fiskale 2020 të shkallës së TVSH-së për sektorin e tregëtimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blektorale sepse aplikimi i  shkallëve  të ndryshme të TVSH-së që sot është në mënyre paradoksale  0% në blerje dhe 20% në shitje dhe  perfshirja e të ashtuquajturës normë kompesimi 6% në këtë mekanizëm i ka vënë operatorët e këtij sektori në një regjim taksimi të padrejtë dhe për pasojë i ka detyruar të furnizohen me produktet bujqësore nga importi dhe të braktisin produktin vëndas .

4-) Kërkojme nga Ministria e Bujqësisë të na garantojë shërbimin e ekstensionit me specialistët e Drejtorive Rajonale të Bujqësisë,laborator për analiza të tokës, garantim dhe monitorim të cilësisë së imputeve bujqësore , kontroll dhe monitorim të cilesisë së produkteve tona nëpërmjet një laboratori të akredituar.

5-) Kërkojmë nga qeveria të angazhohet në rregullimin me ligj të kushteve dhe mënyren e kryerjes së tregtisë  me produktet bujqësore për të  garantuar  interesat e paleve në këtë treg.

Pjesmarrja sa me e madhe në tubim rrit shanset për realizimin e ketyre kërkesave.

Grupi nismëtar i themelimit te Shoqatës!’


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *