Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një intervistë në “News 24” ka bërë thirrje për ti dhënë fund fushatës sipas tij demonizuese ndaj vendeve skeptike të BE-së që nuk pranuan hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Sipas Metës në rradhë të parë, duhet të shohim problemet tek vetja që sipas tij detyruan një sërë vendesh anëtare të BE-së të votonin kundër dritës jeshile për Shqipërinë.
Teksa renditi disa nga shqetësimet e ngritura nga këto vende adresuar Shqipërisë, Meta tha se është e pandershme të thuash që “Holanda nuk e do Shqipërinë”.
“Është e pandershme të thuash që Holanda nuk e do Shqipërinë, apo kërkon t’i mbyllë dyert Shqipërisë për kushedi çfarë arsyesh. Kjo është e pavërtetë! Holanda ka tre vjet që na paralajmëron për liberalizimin e vizave (të mos harrojmë se është marrë një iniciativë për herë të parë për të rishikuar liberalizimin e vizave), si dhe për çështje të cilat kanë të bëjnë me grupet e krimit të organizuar shqiptar, që kanë lidhje me Shqipërinë dhe që i krijojnë shqetësime Holandës”- deklaron Meta.