Gjykata e Krimeve të Rënda ka zbardhur vendimin e dënimit ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, me disa javë vonesë.
Në vendimin e marrë para plot 39 ditëve, më 19 shtator, është evidentuar marrëdhënia e Saimir Tahirit me anëtarët e gupit Habilaj, me në krye Moisi Habilajn.
Mirëpo gjykata arsyeton se nuk u provua që marrëdhëniet mes Tahirit dhe Moisi Habilajt kanë qenë në nivelin e bashkëpunimit për kryerjen e trafikut të narkotikëve.
“Nuk u provua që marrëdhëniet mes Tahirit dhe Moisi Habilaj të kenë qenë në nivelin e bashkëpunimit për kryerjen e trafikimit të narkotikëve”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Por në deklaratat publike Tahiri kishte deklaruar se nuk ka fare njohje me Moisi dhe Florjan Habilajn.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se Tahiri kishte pranuar vetëm marrëdhënien me Artan Habilajn, të cilit i ka shitur audin e famshëm, që më pas do e përdorte sërish së bashku me bashkëshorten e tij. Gjykata deklaron se ka qenë xhaxhai i Saimir Tahirit, ai që ka krijuar urën lidhëse mes ish-ministrit dhe grupit kriminal Habilaj.
Dënimi ndaj Tahirit u mor vetëm për shpërdorim detyre, ndërsa akuzat për trafiku droge në bashkëpunim dhe grup të strukturuar kriminal ranë.
“Pikërisht, pasojat që gjykata evidentoi këtu janë konkretizimi i rrezikshmërisë shoqërore të mosveprimit me dashje në kundërshtim me ligjin të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, për të cilat ata ngarkohen me përgjegjësi penale sipas nenit 248 të K. Penal. Gjithashtu, meqenëse vepra penale e “Grupit të strukturuar kriminal” e parashikuar nga neni 33/a paragrafi i dytë të K. Penal, është vepër penale më vete për të cilën akuzohet i pandehuri Saimir Tahiri, gjykata, ndodhur në kushteve e përmendura më sipër, vlerëson se nuk provohet që i pandehuri ka kryer këtë vepër penale, prandaj bazuar në nenin 388, pika 1, germa “d” të K. Penal, duhet ta deklarojë atë të pafajshëm”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Si rezultat, gjykata e dënoi Tahirin me 5 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfiton uljen e një të tretës së dënimit, duke e reduktuar atë në 3 vjet e katër muaj burg.
Por përsëri Tahiri nuk do të kalojë asnjë ditë në qeli, pasi gjykata ka vendosur të pezullojë ekzekutimin e dënimit të tij me burg, duke e lënë në shërbimin e provës për një periudhë 3-vjeçare.