Pas deklaratave të deputetes Rudina Hajdari se është kërcënuar, vjen një reagim nga kreu i ri i grupit parlamentar që kanë marrë mandatet e opozitës, Korab Lita.
Lita ka mohuar kategorikisht se qëndron pas kësaj ngjarje. Ai pranoi se ishte takuar para dy ditësh me Hajdarin, por mohoi ta ketë kërcënuar.
“Jam deputet si zonja Hajdari. Nuk përgjigjem për sigurinë në Kuvend. Jo se kam kërcënuar, e kam kolege. Me zonjën Hajdari shkojmë dhe takohemi në zyrë. Dy ditë më parë jemi takuar. Në gjaknxehtësi e sipër thuhen këto gjëra, por ne jemi koleg. Nëse kam terren për kërcënim, mund të kërcënohem dhe unë”, tha Lita.
Kujtojmë e debatet brenda grupit parlamentar të drejtuar nga Hajdari, nisën në mes të muajit tetor, kur Korab Lita tha se ishte ai kreu i ri i grupit. Hajdari e kundërshtoi këtë vendim dhe e cilësoi veten ende kryetare pasi nuk kishte dhënë dorëheqjen.
Historia e kërcënimeve ka nisur para disa ditësh, ku sipas Hajdarit ndaj deputetes Fationa Dhimitri është ushtruar presion që të firmoste për shkarkimin e saj nga drejtimi i grupit parkamentar. Hajdari fliste edhe për pamje filmike që konfirmojnë deklaratat e saj.