Deputetja Rudina Hajdari ka deklaruar sot në Kuvend, se ajo është kërcënuar me jetë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Ajo i kërkoi kryeparlamentarit Gramoz Ruçi që të marrë masa urgjente lidhur me këtë.
“Para pak ditësh u dërgova një shkresë për një kërkesë që të siguroni ambientet e Kuvendit dhe të Kryesisë. Nuk mund të ndodhë sot, që në 2019-ën deputetët të kërcënohen. Është e papranueshme që një femër të kërcënohet.
Kam pasur raste në zyrën time kur persona më kanë ardhur në zyrë dhe më kanë kërcënuar.
Nuk mundet që kjo të ndodhë më, ka ikur ajo kohë. Ju lutem, zoti kryetar merrni masat përpara se të kemi ndonjë viktimë këtu në Parlament. Ju kërkoj edhe njëherë, që siç janë këtu masat para Kuvendit, të kemi të njëjtat masa në kryesinë e kuvendit. Asnjë deputet nuk duhet të hyjë pa u kontrolluar, asnjë deputet nuk duhet të marrë përforcime me njerëz të tjerë dhe të shantazhojë njerëz të tjerë”, deklaroi Hajdari.
Deputetja i kërkoi Ruçit që të siguroheshin ambientet e Kuventit dhe të Kryesisë së Kuvendit. Pas deklaratës së fortë të deputetes kreu i Kuvendit tha se kërkesën e saj për forcimin e sigurisë në Kuvend ia ka përcjellë ministrit të Brendshëm.
“Zonja Hajdari, e kam marrë shkresën tuaj, punonjësit e sigurimit do të bëjnë detyrën. Ndërkohë që e kam përcjellë shkresën dhe sot mund t’i ketë vajtur ministrit të Brendshëm, që pas kesaj të merren masat për të gjitha shqetësimet që keni ngritur në shkresën tuaj”- tha Ruçi.
Duket se kërcënimet e Hajdarit kanë ardhur pas konflikteve brenda grupit të saj parlamentar por ajo nuk përmendi emra.
Kryeparlamentari Gramoz Ruçi shtoi se grupet parlamentare duhet t’i zgjidhin vetë problemet mes vetes: “Ua kam thënë edhe më parë: është e drejtë ekskluzive e deputetit të largohet nga një grup parlamentar, dhe e drejtë e grupeve të përjashtojnë anëtarët e grupeve. Në këtë punë nuk jam unë, as kryetari i Kuvendit dhe as seanca. Është e drejta juaj, nuk ka punë as kryetari as seanca. Problemet që kini brenda vetes, uluni, i zgjidhni, i konkludoni sipas rregullave demokratike të rregullores së Kuvendit”./Hashtag.al