Ish-deputetja dhe ish-ministrja e Partisë Socialiste, Arta Dade është e bindur se kryeministri Edi Rama duhet të largohet. Sipas saj, vendi nuk po qeveriset prej më shumë se një viti.
Ndërsa ishte e ftuar në emisionin e gazetarit Ilir Babaramo, Dade tha se politikanë si Rama mbeten në histori për ato gjëra që nuk kanë bërë.
“Mua më duket që vendi nuk po qeveriset prej 1 viti. Mesa duket nuk po e shoh që Rama të largohet. Ka politikanë që mbeten në histori për ato që kanë bërë dhe për ato që duhet të kishin bërë, por që nuk kanë bërë.
Por fatkeqësisht Partia Socialiste që ka qenë forca që i ka dhënë vendit shumë për ta drejtuar andej nga duhet dhe tashmë kemi ardhur në një pikë që forca politike nuk funksionon, po as vendi jonë nuk qeveriset”, janë fjalët e Dades.
Politikania ka treguar dhe një episod kur ishin në opozitë. Sipas saj, Rama i thoshte përfaqësuesve të Bashkimit Europian që nuk kanë trokitur ata tek ne, po ne tek ata.
“Kur ne ishim ne në opozitë, Rama i thoshte përfaqësuesve të Bashkimit Europian që nuk keni trokitur ju tek ne, po ne tek ju. A i thotë më tani zoti kryeministër?”, thotë ish-deputetja.
Dade ka kritikuar qeverinë në veçanti për lënien pas dore të sektorit të bujqësisë. Ajo ka marrë si shembull fshatin Goriçaj në Lushnjë .
“Në qoftë se ti vazhdon të mos plotësosh kushtet atëherë çfarë kërkon. Marr shembull Goriçajn në Lushnjë, jam shokuar kur pash në lajme fermerët. Unë kam qenë vetë deputete në atë zonë dhe e njoh mirë. Në qoftë se nuk mbështetet bujqësia, atëhere je ti i gatshëm të përballosh konkurencën brenda vendeve të Bashkimit Europian. Atëherë ku jemi, pse kemi ngelur kaq mbrapa? Nuk mund të krahasohemi me Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Ne jemi të parët që patëm një marrëdhënie më herët me BE-në.”, shton Dade, e cila është një ndër zërat më kritikë të Ramës brenda PS-së.