Dy njerëz janë plagosur me armë zjarri para një xhamie në qytetin francez, Bayonne. Policia ka arrestuar një të dyshuar, i cili raportohet të jetë një veteran ushtarak rreth moshës tetëdhjetë vjeçare.
I moshuari dyshohet se shkoi në xhami rreth orës 15:00 të së hënës pasdite dhe qëlloi dy persona. Ata u dërguan në spitalin e Bayonne në gjendje të rëndë. Ai përdori gjithashtu një pajisje për t’i vënë flakën një makine.
Policia e arrestoi të dyshuarin pranë shtëpisë së tij, në afërsi të Saint-Martin-de-Seignanx, ku gjetën një armë dhe një bombol gazi në makinën e tij, dhe granata brenda banesës.
I dyshuari besohet të jetë një veteran ushtarak 84-vjeçar, dhe raportohet se vuan nga kanceri.
“Reuters” shkruan se i dyshuari kishte qenë një kandidat politik për partinë Front National të Marine Le Pen në zgjedhjet lokale të 2015-ës. Le Pen vetë, e denoncoi sulmin si një “veprim i papërshkrueshëm e absolutisht në kundërshtim me të gjitha vlerat që mbart lëvizja jonë”.
“Le Figaro” shkruan se 84-vjeçari, i identifikuar si Claude S. nuk ishte më pjesë e partisë së Le Pen, “Front National”, që tani ka marrë emrin “Rassemblement National”.
Skulptori ka provuar politikën duke veshur ngjyrat e lëvizjes gjatë zgjedhjeve të 2015-ës në kantonin e Seignanx, ku ai banon.
“Ai kishte lënë partinë duke deklaruar se idetë e FN nuk korrespondojnë me të. Ai është një ekstremist që nuk ka çfarë bën në radhët tona dhe që ka ikur”, tha eurodeputeti i RN, Nicolas Bay.