Pas takimit me raportuesit e KiE-s, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha kërkoi sërish mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare si rruga e vetme për ecjen përpara të vendit dhe daljes nga kriza.
Basha i bëri thirrje Partisë Socialiste të reflektojë sa nuk është vonë. Edhe pse gazetarët e pyetën se kur e shikonte të mundshme ai organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, Basha nuk dha një datë.
“Tek zgjidhja e krizës politike, gatishmëria e opozitës për të dhënë kontributin e saj për një Reformë të vërtetë Zgjedhore që do t’i kthejë sovranitetin qeveritare, përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, një parlament legjitim, një qeveri legjitime.
Kjo nuk është një çështje mendimi apo dëshire, është një çështje vullneti e të gjitha palëve. Ne kemi hartuar planin me 5 pika për të përshpejtuar Reformën Zgjedhore, me të garantuar kushtet për zgjedhjet e lira për shqiptarët, mbajtjen sa më parë të zgjedhjeve të parakohshme. Në Shqipëri janë përvijuar 2 qëndrime, qëndrimi i një shumice absolute, i opozitës që kështu nuk mund të vazhdohet dhe i një pakice absolute që nuk do ndryshim.
Dështimet e njëpasnjëshme të kësaj qeveri i paguajnë shqiptarët. Dështimin me ekonominë, me shëndetësinë, me punësimin. Është koha për të marrë vendimin e duhur për vendin, për të vendosur interesin e vendit mbi interesat politike. nuk mund të vazhdojë më gjatë kështu.
Sot është e rëndësishme se përse nuk zbatohet ligji, pse mbahen në dorë Babani apo Kajmaku i Vorës. Në Shqipëri nuk ka shtet ligjor. Ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Një nënë keqtrajtohet, ndërsa pushtetarët e kapur në afera korruptive nuk iu hyn gjemb në këmbë. Kjo situatë duhet të marrë fund.
Jemi të hapur për të gjithë instrumentet që garantojnë ecjen përpara.
Thirrja ime për PS-në është të reflektojë sa nuk është vonë. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë pafund. ndërkohë që ne përgatisim ofertën tonë për të nxjerrë vendin nga kjo krizë, të jeni të sigurt se edhe durimit të popullit po i vjen fund. Ka ardhur koha të ndërtojmë një demokraci ku çdo shqiptar të jetë aksioner”, deklaroi Basha.