Disa grabitës kanë hyrë në shtëpinë e ish-lojtarit të Juventusit Claudio Marchisio në zonën e Torinos. Mediat e shtetit fqinj raportojnë se ishin katër persona me fytyra të mbuluara, të armatosur me pistoleta dhe kaçavida. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës.
Ata e kërcënuan ish-futbollistin dhe gruan e tij me një pistoletë dhe kaçavidë duke i detyruar të hapnin kasafortën.
Hajdutët u larguan duke marrë me vete disa xhevahire dhe orë të shtrenjta të çiftit. Karabinierët thuhet se janë në gjurmët e kriminelëve.
Kriminelët duhej ta njihnin mirë zonën dhe sistemet e alarmit të pasurive të patundshme, pasi ata hynë me lehtësi duke shmangur të gjitha sistemet e kontrollit. Katër hajdutët u larguan në një makinë të parkuar jashtë kompleksit të banimit.