Deputetët e Mbretërisë së Bashkuar kanë votuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme më 12 dhjetor të këtij viti.
Pas përpjekjeve të shumta të kryeministrit Boris Johnson për të detyruar mbajtjen e tyre, kjo çështje mori më në fund rrugën në një përpjekje për të sistemuar ngërçin e Brexit.
Ligjvënësit në Dhomën e Komuneve votuan në favor të projektligjit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare me 438 vota pro e 20 kundër. Do të jenë zgjedhjet e para të mbajtura në dhjetor që nga viti 1923.
Deputetët më parë kishin refuzuar propozimin e Partisë Laburiste për të transferuar datën e zgjedhjeve të përgjithshme më 9 dhjetor.
Nëse deputetët do të kishin mbështetur planin e opozitës për të zhvilluar zgjedhjet më 9 dhjetor, parlamenti do të duhej të shpërndahej brenda mbrëmjes të së enjtes.