Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka votuar me shumicë dërrmuese në favor të njohjes së vrasjes masive të armenëve nga turqit osmanë gjatë Luftës së Parë Botërore si një gjenocid.
Ky vendim vjen teksa marrëdhëniet mes Uashingtonit e Ankarasë janë përkeqësuar së fundmi. Presidenti turk, Erdogan, tha se vota ‘pa vlerë’, që u mbajt në Ditën Kombëtare të Turqisë, ishte ‘fyerja më e madhe’ për popullin turk.
Ekziston një marrëveshje e përgjithshme se qindra mijëra armenë vdiqën kur turqit osmanë i dëbuan forcërisht nga Anadolli lindor në shkretëtirën Siriane dhe gjetkë mes viteve 1915-1916. Ata u vranë ose vdiqën nga uria apo sëmundja.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve armenë është i diskutueshëm. Armenët thonë se 1.5 milionë persona vdiqën. Turqia vlerëson se totali është 300,000 mijë persona.
Rezoluta u miratua me një votim prej 405 votash pro e 11 vota kundër. Ankaraja nga ana e saj e ka dënuar me forcë këtë vendim. Duke folur në televizion, Erdogan tha se parlamenti turk do i përgjigjej votimit amerikan, duke deklaruar: ‘Ky hap që u mor është i pavlerë dhe ne nuk e njohim atë.’
Turqia mohon se kishte një fushatë sistematike për të masakruar armenët si një grup etnik gjatë Luftës së Parë Botërore.
Të mërkurën, ambasadori amerikan në Turqi, David Satterfield, u thirr nga Ministri i Jashtëm turk, që i shprehur kundërshtimin e Ankarasë ndaj votimit amerikan.