Në mbledhjen e mbrëmshme në Bruksel të liderëve të Ballkanit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka dhënë shfaqje për gazetarët duke ngacmuar me batuta përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini.
Në një moment, Mogherini i afrohet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e përqafon dhe e puth në faqe. Më pas ajo do takonte edhe liderët e tjerë të rajonit, por Vuçiç ndërhyn e bën si xheloz duke i thënë: “Hashim, Federica më shumë ka dëshirë të puthet me ty”.
Thaçi nuk e komenton, por Vuçiç vazhdon: “Shikoni se si bën sikur nuk merr vesh serbisht, por di shumë mirë”. Të pranishmit qeshin dhe Mogherini pasi i takon të gjithë, kur i vjen radha Vuçiçit e kalon atë por në fund i kthehet duke e prekur lehtë në krah. Në takimin e mbrëmshëm, kryeministri Edi Rama mungoi, pasi ndodhej në një takim në Greqi me homologun e tij.