Akuzohet për vrasjen e një politikaneje, Bolsonaro me sy të skuqur: Pse doni të më shkatërroni


Pasi u shigjetua për zjarret në Amazonë, presidenti brazilian Jair Bolsonaro akuzohet edhe për vrasjen e një zyrtareje dhe një aktivisteje për të drejtat e njeriut.

I përlotur, Bolsonaro ka dalë para kamerave për të mohhuar akuzat. Për televizionin që publikoi lidhjet e tij me vrasjen mafioze, Bolsonaro tha se nuk ishte asgjë tjetër përveçse një “Fake News” i qëllimshëm.

 “Pse duan të më shkatërrojnë mua?”, pyeti ai gjatë transmetimit live në orën 4 të mëngjesit nga Arabia Saudite. Në një moment tjetër,ai tha mes lotësh: “Unë jam presidenti i Republikës.”

Bolsonaro tha se ai nuk kishte arsye për të vrarë jo vetëm politikanen Marielle Franco, por askënd tjetër.

“Unë nuk pata arsye të vrisja njeri në Rio de Janeiro, dëgjova për këtë këshilltare vetëm ditën kur u ekzekutua-“ tha z. Bolsonaro, duke kërcënuar se do të revokonte licencën e transmetimit të “TV Globo”.

 “Nuk do të ketë para publike për ju!”, shtoi presidenti brazilian.

Në videon 23-minutëshe, Bolsonaro e quajti raportin e Globo “të kalbur” dhe u shpreh mjaft i irrituar me gazetarët ndaj të cilëve përdori fjalët: “Ju jeni mashtrues! Skifterë! Ju nuk jeni atdhetarë!”. Ndërsa fliste, edhe vetë Bolsonaro e kuptoi se po e tepronte dhe tha se presidenti i Republikës nuk duhej ta humbiste, por ai kishte arritur në limitet e veta.

“Globo Tv” publikoi një investigim ku e lidhte Bolsonaron me dy burrat që akuzohen për vrasjen e një politikaneje të majtë në Brazil.

Prokurorët më vonë hodhën dyshime në raportin e Globo, duke thënë se burimi kishte gënjyer, ose ishte konfuz.

Marielle Franco për vite me radhë kishte denoncuar vrasjet e shumta në lagjet e varfëra të Rio De Janeiros nga skuadrat e vdekjes të përbëra nga ish-policë dhe agjentë në detyrë të policisë ushtarake, në kohën kur Bolsonaro ishte deputet.

Në mars, autoritetet akuzuan dy ish oficerët e policisë për vrasjen e saj: Ronnie Lessa, 48 vjeç, një oficer në pension që dyshohet se qëlloi mbi Francon; dhe Vieira de Queiroz, 46 vjeç, i cili dyshohet se e transportoi Lessa-n nga vendi i krimit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *