Mbledhja e sotme në Komisionin e Ligjeve është shoqëruar me debate për shtimin ose jo të një festë tjetër kombëtare.
Ishte deputeti Myslim Murrizi ai i cili kërkoi që data 21 Janar, të shpallej festë kombëtare në nderim të Kongresit të Lushnjës.
Murrizi tha se këtë kërkesë ia ka shtruar dhe kryeministrit dhe presidentit, pasi sipas tij kjo është një datë me rëndësi të veçantë për vendin.
Mirëpo maxhoranca kundërshtoi me argumentin se shtimi dhe i një feste tjetër zyrtare në kalendar, do të rëndonte më shumë në buxhetin e vendit. Kjo sepse personat që qëndrojnë në punë atë ditë, do paguhen 50 % më shumë se në ditët e zakonshme të punës.
Deputeti socialist Alket Hysenaj tha se Shqipëria ka plot 14 ditë festa zyrtare, që janë edhe ditë pushimi për administratën, numri më i lartë i festave në rajon.
“Kongresi i Lushnjes duhet të jetë Festë Zyrtare, pasi ka qenë me rëndësi të madhe për vendin. Kërkesa i është dërguar Kreut të Kuvendit, kryeministrit, si dhe presidentit. Kongresi i Lushnjes është viti i parë i Parlamentarizmit, është festuar për 17 vite me radhë, deri në 1939. Në diktaturë 21 janari u zëvendësua me 11 janarin, 1 ditë festë më shumë, kushton shumë më pak se një PPP që jepni ju. Përveç 28 Nëntorit, asnjë festë s’ka rëndësinë e 21 janarit. Ky duhet të ishte një nga propozimet e bëra që në Kuvendin e parë pluralist.”, argumenton Murrizi.
Deputeti u ankua se janë shpallur ditë festash për domaten, djathin, halloweenin, por Kongresin i Lushnjës është lënë mënjanë.
“Ju mund të quani ditë festash edhe 28-ën edhe 29-ën edhe Halloween-in, ju keni vënë dita festash për domaten, djathin, hashuren, makaronat, salcën e kosit dhe keni harruar Kongresin e Lushnjes. Unë kam ardhur seriozisht me bindjen se kongresi i Lushnjes nuk ka të bëjë me këto data. Nëse bëhet fjalë për një gjë nmadhore është më e rëndësishme sesa 28 nëntori vetë. Do të ketë në Kuvend, në Lushnje disa aktivitete, do të ketë nja dy javë në nder të këtij 100 vjetorit”, tha Murrizi.