Vendosni fjalën kyçe....

“Më kanë kërcënuar në zyrë” – Merret në mbrojtje Rudina Hajdari


Merret në mbrojtje deputetja Rudina Hajdari, e cila deklaroi para pak ditësh në Kuvend se ishte kërcënuar me jetë.  Ajo është parë në ambientet e Kuvendit e shoqëruar nga një truprojë që i është vendosur nga Garda e Republikës.

Në seancën plenare të së hënës, Hajdari i kërkoi kryeparlamentarit Gramoz Ruçi që të marrë masa urgjente lidhur me këtë, para se të kishte viktima në Kuvend.

“Para pak ditësh u dërgova një shkresë për një kërkesë që të siguroni ambientet e Kuvendit dhe të Kryesisë. Nuk mund të ndodhë sot, që në 2019-ën deputetët të kërcënohen. Është e papranueshme që një femër të kërcënohet. 

Kam pasur raste në zyrën time kur persona më kanë ardhur në zyrë dhe më kanë kërcënuar.

Nuk mundet që kjo të ndodhë më, ka ikur ajo kohë. Ju lutem, zoti kryetar merrni masat përpara se të kemi ndonjë viktimë këtu në Parlament. Ju kërkoj edhe njëherë, që siç janë këtu masat para Kuvendit, të kemi të njëjtat masa në kryesinë e kuvendit. Asnjë deputet nuk duhet të hyjë pa u kontrolluar, asnjë deputet nuk duhet të marrë përforcime me njerëz të tjerë dhe të shantazhojë njerëz të tjerë.”- janë fjalët e Hajdarit.

Pas deklaratës së Hajdarit, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se e ka marrë shkresën e saj dhe i ka kërkuar punonjësve të shërbimit të bëjnë detyrën sipas ligjeve ndërsa shtoi se ia ka dërguar edhe Ministrisë së Brendshme.

Më pas, zv/Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari tha se kanë nisur procedurat për hetimin e rastit, dhe janë marrë masat për shtimin e masave të sigurisë për deputetët.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *