Ushtria amerikane ka publikuar pamjet e para tw operacionit për vrasjen e liderit të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi. Në videon e publikuar, shihen trupat amerikane që gjuanin me militantët në tokë ndërsa shkonin drejt kompleksit ku Abu Bakr al-Baghdadi ishte fshehur. Baghdadi u fut në një tunel dhe vrau veten bashkë me fëmijët, duke shpërthyer një jelek. Pas bastisjes kompleksi u shkatërrua me municione. Ky operacion u zhvillua me datë 29 tetor.
Kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së, Gjeneral Kenneth McKenzie, tha se ndërtesat e shkatërruara tashmë duken si një parking me gropa gjigande. Ai shtoi se dy fëmijë kishin vdekur me Bagdadin në tunel dhe jo tre siç ishte raportuar më parë.
“Ai u zvarrit në një tunel me dy fëmijë të vegjël dhe hodhi veten në erë ndërsa njerëzit e tij qëndruan në tokë.”– tha McKenzie para një konference për shtyp në Pentagon, citon BBC.
Gjenerali McKenzie tha që katër gra të cilat kishin veshur jelekë vetëvrasës dhe një burrë u vranë në kompleks. Po ashtu u vranë një numër i panjohur luftëtarësh pasi hapën zjarr ndaj helikopterëve amerikanë.
McKenzie shtoi se pavarësisht presionit, kanë bërë çdo përpjekje për të shmangur viktimat civile dhe për të mbrojtur fëmijët që dyshonin se ishin në kompleks.