Vendosni fjalën kyçe....

Rusi rrezikon pesë vjet burg pse i hodhi policit macen në fytyrë


Një burrë rrezikon deri në pesë vjet burg në Moskë, pasi dyshohet se ka përdorur një mace si armë për të sulmuar një oficer policie.

I dyshuari, Genadi Shcherbakov, raportohet se e hodhi macen kur iu afrua polici në një bllok apartamentesh në qytet.

Oficeri, i cili thjesht po u përgjigjej ankesave të banorëve për zhurmë, u “gërvisht rëndë” në fytyrë.

BBC shkruan se Shcherbakov, 59 vjeç, tani po përballet me akuzën për dhunë ndaj policisë.

Çështja u hap të mërkurën, më shumë se një vit pasi ndodhi incidenti.

Çfarë pretendohet se ka ndodhur?

Sipas transmetuesit rus Ren TV, më 4 tetor 2018, Shcherbakov ishte ulur rrëzë shkallëve në një ndërtesë në kryeqytetin rus. Ai thuhet se kishte pirë shumë.

Banorët raportuan një shqetësim, por kur një oficer policie iu afrua, Shcherbakov nuk pranoi të bashkëpunonte dhe as t’u përgjigjej ndonjë pyetjeje.

Shcherbakov më pas u akuzua se kishte kapur një mace që ndodhej aty pranë dhe ia kishte hedhur oficerit.

Kafsha thuhet se u ngjit në fytyrën e tij, duke i ngulur kthetrat. Shcherbakov, i cili nuk është banor i bllokut të apartamenteve ku ndodhi incidenti, mohon ta ketë përdorur macen si armë por pretendon se ajo iu hodh vetë oficerit. Çështja është ngritur në bazë të nenit 318 të kodit penal në Rusi, i cili citon përdorimin e dhunës ndaj një zyrtari publik. Nuk është e qartë pse është dashur një vit për të hapur çështjen penale dhe as se çfarë ka ndodhur me macen.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *