Sikur të mos i mjaftonte sherri me bashkëfshatarin por 36-vjeçar është konfliktuar edhe me policinë, në Kolonjë ku pas neutralizimit dhe kontrollit në shtëpi i janë gjetur edhe 22 kg hashash dhe fishekë luftarakë.
Sipas të dhënave zyrtare, ngjarja ka ndodhur në fshatin Taç Lart të Kolonjës, ku falë reagimit të shpejtë është arritur të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti midis dy shtetasve.
Policia njofton zyrtarisht se nga një telefonatë është kërkuar ndihma e Policisë.
Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Kolonjë, ku nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi B.A., 36 vjeç, banues në këtë fshat, për motive të dobëta, ishte konfliktuar me bashkëfshatarin e tij shtetasin R.M., 66 vjeç, të cilit, i kishte dëmtuar me gurë xhamat e banesës dhe më pas ishte larguar me shpejtësi.
Në momentin që shërbimet e Policisë janë drejtuar për tek banesa e 36-vjeçarit, ky shtetas ka bërë rezistencë duke i ka kanosur për shkak të detyrës efektivët, me një sëpatë.
Policia ka neutralizuar autorin dhe ka vijuar me veprimet e mëtejshme procedurale duke ushtruar kontroll në banesat në pronësi të B.A., dhe babait të tij shtetasit F.A., 64 vjeç, ku u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
Një sasi prej 22 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 69 copë fishekë luftarakë, si dhe 1 sëpatë.
Shtetasi B.A., (i dënuar më parë për “Dhunë në familje”) u arrestua në kushtet e flagrancës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës”, si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj babait të tij shtetasit F.A, për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.