Trupat turke dhe ruse nisën të premten patrullimin e parë të përbashkët në verilindje të Sirisë.
Ky hap është në përputhje me një marrëveshje që kanë arritur Ankaraja dhe Moska javën e kaluar, e cila po ashtu ka ndërprerë ofensivën e Turqisë kundër luftëtarëve kurdë të Sirisë.
Patrullimet e përbashkëta “me njësi tokësore dhe ajrore” janë duke u zhvilluar në lindje të qytetit kufitar sirian, al-Darbasijah, tha Ministria e Mbrojtjes e Turqisë në një postim në Twitter.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë i konfirmoi patrullimet, duke thënë se ato do të zhvillohen “në një sipërfaqe prej më shumë se 110 kilometrash”.
Turqia ka nisur një ofensivë kundër forcave kurde më 9 tetor, pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar për tërheqjen e pjesës më të madhe të trupave amerikane nga pjesa verilindore e Sirisë.
Më 22 tetor, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, kanë rënë dakord për të ndarë kontrollin në zonat kufitare në verilindje të Sirisë, duke iu dhënë milicive kurde 150 orë kohë për t’u larguar.
Me marrëvshjen Erdogan-Putin, Turqia do të ruajë kontrollin e zonës që ka marrë gjatë ofensivës.
Turqia i konsideron milicitë kurde në Siri si “terroriste” dhe i do larg kufirit të saj.
Sipas Turqisë, këto milici – edhe pse kanë qenë aleate të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik – janë pjesë e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, një organizatë e shpallur terroriste, e cila ka luftuar për autonominë e kurdëve brenda Turqisë me dekada të tëra.