Vendosni fjalën kyçe....

Berisha zbulon lidhjet mes prokurorit Ndoji, Ramës dhe Kepit të Rodonit


Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se pas atentatit të djeshëm ku mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoji dhe dy të tjerë, qëndron kryeministri Edi Rama, jo si personi që ka shkrehur këmbëzën e armës, por si personi që ka dhënë urdhrin.

Sipas Berishës, Ndoji ishte një nga prokurorët më të afërt me qeverinë e Ramës, por pazaret mes tyre u prishën kur duhej ndarë “torta” te Kepi i Rodonit. Ai tha se siç ndodh në çdo rast të prishjes së pazareve mes bandave, ato kthejnë armët nga njëra-tjetra.

Berisha komenton dhe mikun e prokurorit, Landi Muharremin, për të cilin thotë se është “Rrumi i partisë”.

Sipas ish-kryeministrit, pjesëmarrja e Erion Braçes në sallën e gjyqit kur do vendosej për ish-kreun e Kadastrës Liridon Pula, ishte për të paralajmëruar Ndojin për masat që do merreshin ndaj tij. Berisha thotë se prokurori Ndoji menaxhonte paratë e Ina Ramës.

KOMENTI I BERISHËS:

Edvin Mafia nuk e kishte gishtin në shtjekzën e kallashit që qëlloi prokurorin, por ai kishte syrin në shënjestrën e tij!

Miq, dje mbasdite në Durres ndodhi njëri nga atentatet mafioze më të organizuar, vetëkuptohet me ndihmën direkte të narkopolicisë, në historinë e krimit dhe mafies së vendit.

Dje mafia qeveritare goditi me breshëri prokurorin Arjan Ndoja dhe bashkëpunëtorin e tij, famozin Rrumi, votëmbledhësin kryesor të parisë së krimit dhe krahun e Avdylëve në zonën e Sukthit.

Prokurori Ndoja, i cili ndër të tjera akuzohet se menaxhon edhe paratë e pista të ndrikull Ina Ramës, ishte në këto vite i mbrojturi dhe favoriti tejet i çmuar i Edvin Mafisë dhe Gjushit të tij. Ai është denoncuar në mënyrë të përsëritur nga qytetari dixhital për afera kriminale mafioze. Ai kishte shpëtuar pa asnjë pasojë si për rrahjen shtazore të biznesmenit të Omniks nga banda e tij, ashtu dhe për rrahjen e avokatit Ilia (rrahësi në kërkim i këtij të fundit shoqëronte narkoministrat e Edvin Mafisë në aktivitete publike).

Por siç ndodh rëndom me klanet mafioze, që për shkak të shkeljes së interesave i hanë kokën, pra i kthejnë pushkën njëri-tjetrit, ndodhi edhe kësaj here. Kështu, klani i mafies shtetërore të prokurorit Ndoja u përball me klanin mafioz direkt të padronit të tij, Edvin Mafisë për Kepin e Rodonit.

Kjo aferë mafioze zhveshi rrufeshëm nga çdo cipë, petkë apo përgjegjësi zyrtare kreun e Meduzës dhe ai u vërsul me tërbim dhe kërcëllitje dhëmbësh si kurrë ndonjë herë më parë në narkoparlament kundër prokurorit Arjan Ndoja duke e paralajmëruar se do të ketë dhe masa ekstreme, dhe si e tillë vetëkuptohet do të ishte eleminimi i tij fizik.

Kjo ishte një dëshmi se për Edvin Mafinë në shënjestër të bandës së Kepit të Rodonit duhet me urgjencë pa humbur kohë të ishte Arjan Ndoja për t’i dhënë ekstremën e vendosur nga krye kreu i Meduzës.

Për të dëshmuar para bandës së tij se ai kishte ndëshkuar me ekstremën prokurorin Ndoja, Edvin Mafia dërgoi Erjon Pluhurin, në një rast që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij vendi që kur është themeluar shteti shqiptar, në sallën e gjyqit për të zhveshur dhëmbët e narkoqeverisë prokurorit Ndoja dhe konfirmuar publikisht dhe një herë se për të mbrojtur interesat e klanit qeveritar të mafies së Kepit të Rodonit nuk do respektohej asnjë normë, asnjë ligj dhe së vendimi për ndëshkimin ekstrem të tij ishte i pa apelueshëm dhe përfundimtar.

Kështu që si përfundim mund të thuhet se Edvin Mafia nuk është dorësi i atentatit ndaj prokurorit Ndoja, gishti i tij nuk ishte në shtjekzën e kallashit që derdhi dje breshëritë mbi të dhe Rrumin e partisë.

Por Edvin Mafia ishte vendimmarrësi i vetëm suprem i masës ekstreme pra eleminimit të prokurorit, ishte hjekësi dhe syri në shënjestër i kallashit që shkrehu dje breshëritë vrasësi i bandës së Kepit të Rodonit të Edvin Mafisë mbi prokurorin Ndoja dhe Rrumin e partisë së krimit.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *