Vendosni fjalën kyçe....

I çoi mesazhe nënës për t’i treguar se s’merrte dot frymë, konfirmohet vdekja e 26-vjeçares nga Vietnami


Vajza e re nga Vietnami, e cila i dërgoi mesazhe nënës së saj për t’i treguar se po vdiste, është konfirmuar si një nga 39 migrantët e gjetur të pajetë në një rimorkio kamioni në Essex, shkruan Mirror.

Familja e vajzës së quajtur Pham Thi Tra My thanë që kanë marrë lajmin e hidhur përmes një telefonatë nga Anglia të shtunën.

26-vjeçarja i kishte dërguar mesazhe familjes së saj ndërsa ishte në rimorkio, me fjalët: “Unë po vdes, nuk mund të marr frymë. Unë ju dua shumë Mami dhe Babi. Më vjen keq, Nënë”.

Pasi priti më shumë se një javë për konfirmim zyrtar, babi i trishtuar i Pham Thi Tra My tha për mediat vietnameze se vajza e tij ishte midis viktimave.

Ai i tha gazetës “Tuoi Tre” se familja ishte njoftuar nga dikush që telefononte nga Anglia. Ai shtoi: “Lajmi që vajza ime vdiq në Angli është i vërtetë. Është shumë e dhimbshme”.

Ai tha se familja po planifikon ta varrosë 26-vjeçaren në qytetin e tyre të lindjes Nghen sapo trupi i saj të rikthehet në vendlindje.

Edhe familja e Nguyen Dinh Luong, 20 vjeç, tha që ai gjithashtu u konfirmua i vdekur. Babai i të riut, Nguyen Dinh Gia, tha se kishte marrë një telefonatë nga një person që vepronte si përkthyes për autoritetet britanike të premten në mbrëmje.

Ai u pikëllua nga lajmi i hidhur dhe u rrëzua. Ai shtoi: “Unë nuk besoj se është e vërtetë”.

Nëna e Luong tha mes lotësh: “Për më shumë se një javë, jam lutur vetëm që fëmija im të jetë i sigurt. Tani nuk kam shpresë. Pse vdiq fëmija im kaq i ri?”.

Të afërmit e të dy viktimave kishin dalë publikisht duke zbuluar frikën se fëmijët e tyre mund të ishin mes 39 migrantëve që u zbuluan të pajetë në një rimorkio kamioni në Essex, në orët e para të 23 tetorit.

Të dyja familjet kishin kursyer mijëra paund për të paguar për udhëtimet e fëmijëve të tyre nëpër Azi dhe Evropë, ku ata shpresonin të gjenin punë dhe një jetë më të mirë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *