Pas denoncimeve të vazhdueshme të medias dhe opozitës lidhur me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore, vjen një tjetër denoncim këtë radhë nga një profesionist.
Mjeku urolog, Artan Koni përmes një video thotë se po bëhet një “grabitje kolosale” me këtë koncesion.
Arsyeja pse mjeku ka ngritur zërin është një shkresë e Ministrisë të Shëndetësisë drejtuar spitaleve kryesore të vendit, për t’i kërkuar atyre që gjatë vitit të ardhshëm të bëjnë më pak operacione se gjatë vitit të shkuar. Mjeku Koni shpjegon se nëse shteti do ta bënte sterilizimin me fonde publike dhe jo me koncesion privat, me aq para sa harxhon do të mund të operonte plot 7 milionë shqiptarë në vit dhe jo 90 mijë sa janë operuar vitin e kaluar.
Koncesionari i strelilizimit “Sani Service” siç duket po merr më shumë para sesa janë parashikuar. Sipas statistikave, gjatë 2018 janë kryer rreth 90 mijë ndërhyrje kirurgjikale për të cilat shteti i ka kaluar koncesionarit 17 milionë euro, ose 3.6 milionë më shumë sesa parashikimi. Dhe në vend që ministria të negociojë ulje çmimesh me privatin, u ka kërkuar mjekëve të bëjnë më pak operacione.
Çfarë thotë mjeku Artan Koni?
“Unë jam Artan Koni, jam mjek kirurg urolog dhe sot kam vendosur të flas dhe të ekspozoj me fakte dhe shifra një grabitje kolosale që po i bëhet buxhetit të shtetit nëpërmjet koncesionit të sterilizimit. Këtu psh siç e shikoni, kemi disa sete të ndryshme kirurgjikale, që ne kirurgët i përdorim për operacione të ndryshme. Normalisht ky set përpara se të përdoret duhet të sterilizohet me disa pajisje që quhen autoklava.
Në vitin 2016, Ministria e Shëndetësisë nënshkroi një marrëveshje me PPP me kompaninë ‘Sani Service’ për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale në të gjitha spitalet e Shqipërisë. Sipas kësaj marrëveshjeje, kompania duhet të paguajë për sterilizimin e çdo seti kirurgjikal. Konretisht kompania duhet të paguajë rreth 100 euro për këtë setin e vogël, rreth 190 euro për këtë setin mesatar dhe 290 euro për setet e mëdhaja. Me vlerë totale të këtij koleksioni që u vendos rreth 12.3 miliardë lekë ose rreth 100 milionë euro.
Nëse marrim vetëm të dhënat e vitit 2018, bazuar në të dhënat e Fondit të Sigurimit, janë kryer në rang kombëtar 90 mijë ndërhyrje kirurgjikale dhe shteti shqiptar i ka paguar kompanisë private, 87 miliardë lekë ose rreth 17 milionë euro. Pra shteti shqiptar ka paguar mesatarisht rreth 190 euro për sterilizimin e një seti të vetëm kirurgjikal.
Kjo pagesë prej 17 milionë eurosh, kaloi me 3.6 milionë euro parashikimin e Ministrisë së Shëndetësisë, për vitin 2018. E gjendur përballë kësaj situate, në fillim të vitit 2019, Ministria e Shëndetësisë i dërgoi një shkresë spitaleve më të mëdha në vend ku i kërkon të zvogëlojë numrin e operacioneve të planifikuara.
E thënë ndryshe, Ministria e Shëndetësisë nuk i kërkon kompanisë private të rishikojë tarifat apo të anulojë tërësisht këtë koncesion, por i kërkon mjekëve të dërgojnë në shtëpi disa prej pacientëve të cilët kanë nevojë për operacion. Pra midis shëndetit të pacientit dhe fitimit të kompanisë, ministria zgjedh kompaninë.
Para se të nënshkruhej ky koncesion çfarë ndodhte?! Spitalet shtetërore i sterilizonin vetë setet kirurgjikale me autoklava të cilat edhe sot që flasim nuk janë hedhur në plehra, por janë lënë në harresë nëpër magazinat e spitaleve. Ato edhe sot që flasim janë funksionale por nuk përdoren për shkak të kësaj PPP-je me ‘Sani Service’.
Por le ta lëmë mënjanë këtë koncesion dhe të bëjmë një llogari të thjeshtë se sa lekë i duhen shtetit shqiptar, për sterilizimin e të gjitha seteve kirurgjikale në rang kombëtar. Po llogarisim maksimumin e mundshëm të lekëve që i duhen shtetit shqiptar për sterilizimin e të gjithave pajisjeve mjekësore.
Në Shqipëri ka 42 spitale shtetërore, dikush ka një autoklavë, dikush ka 10. Nëse supozojmë se mesatarisht çdo spital ka pesë autoklava, atëhere në rang kombëtar kemi 210 autoklava. E dimë shumë mirë se shumica e këtyre spitaleve kryejnë shumë pak ndërhyrje kirurgjikale, sepse pjesa më e madhe e tyre bëhet në spitalet rajonale shtetërore. Por le të supozojmë se të gjitha këto spitale, punojnë me kapacitet të plotë. Le të supozojmë se operacionet nuk kanë të sosur në secilin prej këtyre spitaleve dhe se autoklavat e tyre punojnë pa pushim 24 orë në ditë, për 365 ditë të vitit. Vetëm një autoklavë harxhon mesatarisht 6 kilovat në orë, energji elektrike e cila kushton 0.13 euro. 210 autoklava, herë 24 orë, herë 365 ditë të vitit, harxhojnë gjithsej 1.5 milionë euro energji elektrike në vit. Domethënë, nga 1.5 milionë euro që është kostoja maksimale e sterilizimit në rang kombëtar, shteti shqiptarë i ka paguar kompanisë private 17 milionë euro. Pra sterilizimi i seteve kirurgjikale, na kushton 12 herë më shumë sesa vlera maksimale e mundshme.
Të mos harrojmë se kemi marrë maksimalen e mundshme. Le të supozojmë gjithashtu se autoklavat që kishin spitalet në gjendje ishin të amortizuara dhe na duhet të blejmë autoklava të reja. Tani një autoklavë moderne, për përdorim spitalor bëhet fjalë, kushton mesatarisht 25 mijë euro. 210 autoklava kushtojnë 5.2 milionë euro. Autoklavat përdoren minimumi 10 vjet, kështu që 5.2 milionë euro për autoklavat dhe 15 milionë euro kosto maksimale e sterilizimit për 10 vjet, i bie që shteti shqiptar me 22 milionë euro, të mbyllë nevojat për sterilizim në rang kombëtar për një periudhë 10 vjeçare.
Tani nuk duhet të harrojmë disa detaje të vogla, në vitin 2018 janë kryer 19 mijë operacione dhe kemi paguar 17 milionë euro. Me këtë llogarinë tonë të thjeshtë i bie që sterilizimi i 19 mijë seteve kirurgjikale të kushtonte mesatarisht 215 mijë euro, nëse do kryhej si më parë në spitalet shtetërore. Domethënë nga 2.4 euro për një set të vetëm kirurgjikal, i kemi paguar kompanisë 190 euro. Pra 80 herë më shumë sesa kostoja reale.
Me këtë llogarinë tonë prapë maksimale të mundshme, duhet ta theksoj, kuptojmë që ne mund të paguanim 1.5 milionë euro dhe të kryenim 650 mijë operacione në vit, por kemi paguar 17 milionë euro dhe kemi kryer 90 mijë.
E thënë ndryshe në vitin 2018 kemi paguar aq lekë sa për të operuar rreth 7 milionë shqiptarë, por kemi operuar vetëm 90 mijë.”/Hashtag.al