Mbrëmjen e kaluar në rrjet qarkulloi një foto e ministrit në largim të Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë Endrit Shala dhe Durim Limajt, djali i liderit të Nismës Socialdemokrate,FatmirLimaj, e cila ka shkaktuar shumë debate.
Kjo sepse në foton e publikuar, Shala dhe Limaj shihen nën shoqërinë e dy personave të tjerë të ulur përpara një vaske të improvizuar me dhjetëra pije të shtrenjta në të. Mbi të gjitha është vendosur një “Ciroc Vodka”, pije alkoolike franceze.
Mirëpo kjo foto është bërë virale përgjatë natës, për shkak të rolit të dy personave në foto. Endrit Shala është ende në detyrë si Ministri i Tregtisë, ndërsa Durim Limaj është këshilltar i lartë politik dhe shef i kabinetit të Shalës.
Mirëpo sipas ministrit Shala, kjo foto nuk është realizuar kohët e fundit, por para shumë kohësh në Gjermani.
“Ajo është një fotografi tek ky Vllaznim Kelmendi dhe tek Zenuni, është diskoteka e Zenunit në Gjermani. Është afër Strasburgut, në Këln, nëse nuk gaboj”, ka deklaruar Shala për Insajderin. “Fotografia është bërë para 4-5 viteve dhe unë në atë kohë s’kam qenë ministër”.
Durim Limaj, i cili është këshilltar i lartë politik i ministrit në largim të Tregtisë, sipas medieve në Kosovë ka shpenzuar rreth 30 mijë euro për udhëtimet e bëra jashtë vendit me paratë e taksapaguesve kosovarë.
Limaj është kampion për nga shpenzimet e bëra në udhëtime jashtë vendit, duke ia ka kaluar edhe secilit prej dy ministrave që gjatë gjysmëmandatit e kanë drejtuar këtë dikaster.
Bazuar në një pasqyrë shpenzimesh të Ministrisë së Tregtisë, për më pak se dy vjet, vizitat e Limajt jashtë vendit i kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 30 mijë euro – 15.001.32 euro në vitin 2018, ndërsa sivjet edhe 14.057.25 euro të tjera. Pjesë e madhe e kësaj shume është shpenzuar për t’u ushqyer gjatë këtyre vizitave – fiks 8.798.83 euro.