Vendosni fjalën kyçe....

Mesazhet e Metës: Kam mbrojtur Kushtetutën në çështjen e teatrit, dialog larg interesave okulte


Presidenti Meta ka lëshuar mesazhe të forta dhe të qarta ditën e sotme.

Teksa merrte pjesë në ekspozitën e artistit Avni Delvina, në fjalën e tij para artistëve e qytetarëve të pranishëm ai theksoi se artistët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile nuk duhet të konformohen dhe nuk duhet t’i nxjerrin në treg vlerat artistike dhe nuk duhet t’i mbyllin sytë para kauzave që shqetësojnë vendin, kombin dhe kulturën kombëtare.

‘Një shembull i shkëlqyer i artistit dhe përfaqësuesit të shoqërisë civile që nuk pranon të nxjerrë në treg vlerat e tij artistike në këmbim të mbylljes së syve përpara kauzave të rëndësishme që e shqetësojnë vendin, kombin, kulturën kombëtare. Do të ishte fundit nëse përfaqësuesit e artistëve e të soqërisë civile, do të konformoheshin, do të bënin kompromis me këto vlera. Të gjithë popujt kanë dëgjuar shqetësimin e artistëve të tillë, në themelet e veprës së të cilëve qëndrojnë veprat kombëtare, padyshim kanë ecur drejt së ardhmes me guxim dhe kurajo dhe kanë merituar ndryshimin. Në këtë mënyrë e lexoj edhe unë këtë ekspozitë të sotme.’ – theksoi Meta.

Para se Meta të merrte fjalën e tij, disa prej artistëve si Robert Budina dhe Neritan Liçaj, folën njëri pas tjetrit duke falenderuar presidentin për mbështetjen e kauzës së tyre për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

“Faleminderit presidentit që tregoi një koherencë të jashtëzakonshme për realitetin që jetojmë. Ne do ta kishim patur shumë të vështirë me Teatrin, personalisht i jam mirënjohës presidentit për veprimin që ka bërë dhe e nxis jo të luajë vetëm në mbrojtje”, tha Budina.

“I vetmi institucion që na u përgjigj ishte Presidenca, as Prokuroria, as Kontrolli i Lartë i Shtetit, Parlamenti jo e jo, as Avokati i Popullit, askush. Faleminderit zoti president, pasi ishit i vetmi. Ju jam mirënjohës për të gjithë jetën.”– tha Liçaj.

Presidenti Meta nga ana tjetër, tha se kishte kryer vetëm detyrën e tij për mbrojtjen e Kushtetutës dhe Identitetit Kombëtar.

“Është një kënaqësi e veçantë për mua sot të jem në Teatrin tonë Kombëtar në rastin e një ekspozite të një artisti të mirënjohur, zotit Avni Delvini.

Për mua ka qenë kënaqësi të takohesha para pak ditësh për herë të parë me zotin Delvina. E kam ndjekur me shumë vëmendje, me shumë simpati shqetësimin e tij për brengat e vendit të tij dhe popullit të tij. Mendoj që vendosja e vlerave të tij artistike në mbrojtje të kauzave qytetare, demokratike, kulturore, kombëtare, e ka bërë këtë arstit jo vetëm gjithnjë e më të njohur por gjithnjë e më të dashur, më pranë qytetarëve, sepse jetojmë në kohë të vështira jo vetëm për artistët, dhe për shoqërinë civile.

Jetojmë në kohën e globalizimit, një proces të cilin nuk mund ta ndalim sepse nga ai mund të përfitojmë, por është një proces që s’mund ta lejojmë të na ç’kombëtarizojë. Nuk erdha ditën e shtunë pasdite për ta nisur javën me këtë ekspozitë.

Asnjë falenderim nga artistët që ndodhen këtu, unë nuk kam bërë asgjë tjetër përveçse dëshirën dhe detyrën time, duke mbrojtur kushtetutën, duke mbrojtur ligjin, duke mbrojtur Trashëgiminë Kulturore, Identitetin Kombëtar. Është e nevojshme që të gjithë të reflektojmë dhe dialogojmë si shoqëri e qytetëruar, e emancipuar për të zgjidhur të gjitha sfidat në interes të kulturës sonë, qytetarëve tanë, të ardhmes tonë.”, tha presidenti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *