Ministrja për Marrëdhënien me Parlamentin dhe njëherësh zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali, e cila zëvendëson kryeministrin Edi Rama në Interpelancën e sotme në Kuvend, përsëri nuk ka dhënë një datë për kthimin e vogëlushit shqiptar Alvin Berisha pranë familjes.
Spiropali tha se institucionet shqiptare po bëjnë ç’është e mundur për identifikimin e shqiptarëve dhe riatdhesimin e tyre.
Teksa foli për rastin e Alvin Berishës, Elisa Spiropali theksoi se kampi në të cilin ndodhet 11-vjeçari është aktualisht i sigurt dhe nuk ka asnjë rrezik për jetën e tij.
“Shqipëria është përpjekur aq sa që i takon dhe mjetet që ka të luajë një rol kundër terrorizmit, e kemi bërë përmes strukturave të NATO-s.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm me këtë fenomen është në radhë të parë një përpjekje e madhe kulturorë dhe kërkon para së gjithash ndërgjegjësim. Shqipëria gjithmonë i ka kushtuar vëmendje të veçante të luftëtarëve shqiptarëve që kanë marrë pjesë në këtë konflikt në Siri.
Situata në Siri është e komplikuar, sepse vijon të jetë një zonë konflikti dhe identifikimi i shtetasve shqiptarë ka qenë shumë i vështirë. Kanë ndryshuar identitetin e tyre , duke marrë emra arabë dhe kanë kaluar kufijtë në mënyrë ilegale dhe për pasojë identifikimi final i tyre është shumë i vështirë. Ata kana zhdukur dokumentet shqiptare dhe kanë marrë ata të Kalifatit. Këto kampe drejtohen nga struktura paramilitare. Shqipëria po bën çështë e mundur për të kthyer gratë dhe fëmijët që janë në kamp.
Organizatat që menaxhojnë këto kampe nuk duan që këto njerëz të largohen. Ju garantojmë ju, deputetëve, që kanë kërkuar interpelancë se institucionet e përfshira po bëjnë detyrën me profesionalizëm, pa zhurmë dhe pa bujë për ta zgjidhur këto probleme. Për rastin e Alvin Berishës nuk do të hyjë në detaje. Rasti është njoftuar nga Kryqi i Kuq . Kontaktet me Alvin janë mbajtur me organizatat humanitare, deri tani situata në kampn “Al Hol” është e sigurt”- tha Spiropali e cila siç paralajmëroi deputeti Andi Përmeti, nuk arriti dot të qetësonte shqiptarët duke dhënë një datë të sigurt për kthimin e Alvinit, i cili ndodhet në një kamp në Siri i plagosur në këmbë.
Spiropali tha se operacionet për të kthyer Alvinin dhe shqiptarët e tjerë në vend po kryhen në fshehtësi, ndërsa mediat po i rrezikojnë jetën.
“Shqipëria po bën çfarë është e mundur përtë rikthyer gratë që gjenden në ato kampe. Por operacionet bëhen në fshehtësi të plotë, sepse në të kundërt rrezikojmë jetën e tyre, dhe operacioni komplikohet. Duke zbuluar identitetin e tyre i ekspozojmë përpara një rreziku vdekjeprurës.
Për pasojë do u lutesha mos të kompromentojmë situatën dhe jetën e personave që po përpiqemi t’i shpëtojmë. Ju garantojmë se institucionet e përfshirë po bëjnë detyrën me profesionalizëm pa zhurmë dhe bujë.”- tha ministrja Spiropali.