Institucionet në vend e në veçanti bashkia e Tiranës, i kushtojnë mjaft rëndësi imazhit që ndërtojnë në publik përmes reklamimit të aktiviteteve të përditshme dhe kjo reflektohet edhe në shpenzimet e deklaruara.
Sipas të dhënave të publikuara nga “Open Data”, bashkia e Tiranës ka shpenzuar më shumë se 77 milionë lekë të vjetra vetëm për aparate fotografike, lente e drone.
Po a ka vend për shpenzime të tilla, në një kohë kur mijëra familje jetojnë në një minimum jetik? Mbi të gjitha për punët vendore?
Për kryebashkiakun Erion Veliaj jo vetëm që ka vend, por kjo është pjesë edhe më e rëndësishme sesa punët që po kryhen, saqë nuk ka ditë të mos e shohim në kasetat e gatshme të bashkisë që transmetohen në edicionet informative.
Shpesh herë e shohim Veliajn të inaugurojë për të disatën herë të njëjtën rrugë apo park, edhe pse cilësia e këtyre punimeve ka treguar se nuk ka qenë në nivelet e duhura. Një rast i tillë ishte ai i shembjes së tavanit të një godine në Rezidencën Studentore në Qytetin Studenti, specifikisht në konviktin nr. 20.
Veliaj kishte inauguruar rikontruktimet që në muajin maj të kësaj godine, por që javën e kaluar pësoi shembje të një pjese të tavanit dhe plasaritje të mureve./Hashtag.al