Policia ka arrestuar një person i cili dyshohet se ka lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji, shoferit të tij Andi Maloku, dhe Aleksandër Lahos, i njohur edhe si “Rrumi” i Sukthit.
I arrestuari është Redjan Rraja, nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja. 34-vjeçari Redjan Rraja, dyshohet se është identifikuar nga gjurmët e ADN-së të mbetura në makinën e dyshuar të autorëve që u gjet e braktisur në zonën e Shkafanës, ditën kur ndodhi atentati në mbikalimin e Shkozetit. Ai është ndaluar, ndërsa largohej nga Shqipëria.
Të premten e 1 nëntorit, në orën 16:30, prokurori Arjan Ndoji, shoferi Andi Maloku, dhe miku i tij Aleksandër Laho (Landi Muharremi), mbetën të plagosur pas një atentati me armë.
Rraja e ka mohuar që ai është i përfshirë në atentatin ndaj prokurorit apo të ketë dijeni për të.
Kujtojmë se emri i Redjan Rrajas, është përmendur edhe më parë në media, për shkak të dëshmisë së Xhisiela Malokut. Përpara se të tërhiqte akuzat kundër të dashurit Rexhep Rraja, djali i deputetit, Maloku shprehej se Redjani e kishte nxjerrë me forcë nga komisariati.
Redjan Rraja më parë është akuzuar se ka prishur provat në vrasjen e mikut të tij Elton Çiços. Ky i fundit u qëllua për vdekje me dy plumba më 1 Maj të 2016-ës, rreth orës 22:20.
Edhe pse akuzohej për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” në ngjarjen ku mbeti i vrarë miku i tij, Rraja u dënua nga Gjykata e Tiranës vetëm me 8 muaj burg./Hashtag.al