Arrestohet një shoferi i FNSH-së, i cili ishte shpallur në kerkim, pasi ishte dënuar me burg, me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Bëhet fjalë për Ardian Locin, ish-shoferin e FNSH-së i cili akuzohet se ka dekonsioruar një aksion policie në vitin 2017. Për këtë akuzë ai u dënua me 1 vit e 10 muaj burg në qershor të këtij viti.
“Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim. Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për shpërdorim detyre.
Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, është bërë kapja e personit të shpallur në kërkim, shtetasit Ardian Loci, 48 vjeç, banues në lagjen “Skenderbeg”, Shkodër.
Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Shkodër, me vendim nr. 243, datë 21.06.2019 e ka denuar me 1 vit e 10 muaj burg, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme”, njoftoi sot policia.
Loci nuk është një personazh i panjohur për mediat, pasi kur u arrestua dy vite më parë, ai do të shpërthente në lot brenda sallës së gjyqit.
Ai tha asokohe se po kalonte një periudhë të vështirë në familje, për shkak se i kishte gruan dhe vajzën të sëmura.
“Kam 21 vite shofer në FNSH. I kam shërbyer shtetit me zemër e me mendje. Kam gruan të sëmurë dhe vajzën e sëmurë po ashtu me sëmundje të keqe në kokë.
Kam vajzën tjetër të vogël që s’ka kush ma çon në shtëpi. S’kam marrë asnjë shpërblim. Kam shtëpinë pa pllaka. E ndjej veten shumë të rënduar aq sa të vras veten. Janë akuza te shpifura. S’kam bukë në shtëpi. Edhe një shpërblim që mora kam shlyer borxhet dhe energjinë.
S’kam patur lekë t’i paguaj vajzës ilaçet. Nuk i përkas asaj kategorie. I kam çuar një shoku nje thes miell se s’kishte me çfarë e merrte dhe i thashë mos më thuaj më ashtu se kushedi si merret, në rregull më tha. Si qenka, unë kam folur me një në lagje. Kam qenë në shërbim më përpara dhe sa shkova ne shtëpi duke ngrënë buke më arrestuan. Jam shume i zhgënjyer me këtë që më është bere. Më falni për shqetësimin”, deklaronte Loci në 2017-tën.