Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nisur përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme partiake, në të gjitha nivelet e organizimit të saj.
Sipas një njoftimi nga AAK-ja, kryesia ka formuar grupin punues për plotësimin e Platformës programore të partisë dhe grupin punues për ndryshimet e Statutit të AAK-së. Aty, sipas njoftimit, përfshihet mënyra e zgjedhjes së organeve drejtuese të partisë në sistemin një delegat – një votë.
“Në strukturat e partisë nuk do të ketë pozita ex-officio as për kandidatë as për poste. Të gjithë personat që udhëheqin pozita në AAK do t’i nënshtrohen procesit zgjedhor nga baza”, thuhet në njoftim.
Po ashtu theksohet se në “mbledhjen e ardhshme Këshilli Drejtues i AAK-së do të vendosë datën e mbajtjes së Kuvendit të punës i cili do të aprovoj plotësimin e Platformës programore dhe ndryshimit të Statutit të AAK-së, si bazë legale për mbajtjen e zgjedhjeve në parti”.