12 anëtarë të një familje, nëntë prej të cilëve ishin fëmijë u vranë në një masakër në Meksikë, për të cilën dyshohet një kartel droge. Tre gratë amerikane dhe fëmijët e tyre që jetonin në shtetin kufitar të Sonoras, ishin nisur të hënën për të marrë pjesë në një dasmë në veri të Meksikës.
Gruaja Rhonita Maria LeBaron, 33 vjeçare, thuhet se ka vdekur së bashku me foshnjat e saj – Titus dhe Tiana (në moshën gjashtë ose shtatë muajsh) dhe dy fëmijët e tjerë, të moshës tetë dhe 10 vjeç, kur të armatosurit sulmuan një kolonë automjetesh.
I afërmi i tyre, Julian LeBaron tha se disa familjarë të tij u dogjën të gjallë pasi një furgon shpërtheu kur plumbat goditën rezervuarin e benzinës.
Të afërmit e tjerë u raportuan të rrëmbyer dhe të humbur pasi u sulmuan gjatë një dasme, shkruan Mirror.
Julian LeBaron tha se viktimat ishin të pafajshëm dhe u gjendën gabimisht në një luftë mes karteleve rivale të drogës, të cilët kanë gabuar në shënjestër.
“Ky ishte një gabim. Ne nuk e dimë pse. Ata janë gra dhe fëmijë të pafajshëm. Ata do të shihnin të afërmit. Ishte e tmerrshme.”, tha ai.
Masakra ndodhi ndërsa tre gra dhe 14 fëmijët e tyre po udhëtonin për në komunitetin Mormon të LaBaron.
Një e afërme, Leah Staddon, tha që tre nënat dhe fëmijët po udhëtonin në tre automjete të ndryshme për të marrë pjesë në një martesë.
Ajo tha se gruaja e nipit të saj, Rhonita LeBaron dhe katër nga fëmijët e tyre, humbën jetën kur automjeti i tyre u sulmua.
Zonja Staddon tha se kunata e saj Dawna Langford dhe kushërira Christina Johnson, të cilat po udhëtonin në makina të ndara gjithashtu u vranë.
Zonja Langford po udhëtonte në një automjet të dytë me nëntë fëmijë. Pasi njerëzit e armatosur e vranë atë dhe dy fëmijët e saj, hapën derën dhe panë më shumë fëmijë brenda dhe i lanë të shkojnë.
Zonja Johnson po udhëtonte në një makinë të tretë me fëmijën e saj, i cili u gjet i gjallë në automjet. Djali adoleshent i zonjës Langford i fshehu fëmijët e vegjël pas një peme, disa prej të cilëve u plagosën, për t’i shpëtuar ata dhe më pas u kthyen përsëri në fermën e familjes për të ngritur alarmin.
Kishte raporte kontradiktore për numrin e të vdekurve dhe numrin e të afërmve që ishin rrëmbyer dhe zhdukur.