Deputeti i Partisë Socialiste Rrahman Rraja, ka reaguar lidhur me arrestimin e të afërmit të tij, Redjan Rrajës lidhur me atentatin e 1 nëntorit që ndodhi në mbikalimin e Shkozetit, ku u plagos prokurori Arjan Ndoji.
Deputeti tha se i arrestuari nuk ishte shumë i afërt me të, ndërsa shtoi se njerëz me mbiemër Rraja kishte jo vetëm në fshatin Nikël e në zonën e Krujës, por edhe në Berat.
“Përshëndetje! Komenti im është se është një ngjarje shumë e rëndë. Për mua pak rëndësi ka se kush mund të jetë ai person. Them që drejtësia i ka të gjitha të drejtjat e veta për të vënë drejtësi dhe për të bërë apel që çdo person duhet të marrë një dënim maksimal.
Dëgjo përsa i përket të afërmit tim, e kam sqaruar. Babai im, Rexhepi, me gjyshin e Redjanit janë vëllezër vetëm për babë. Pra i bie më shumë sesa brezi i tretë, dakort. Por unë dënoj veprimin dhe jo lidhjet se çfarë brezi jam. Me mbiemrin Rraja ka edhe në Berat dhe në Lushnjë. Nuk e përjashtoj se kemi lidhje të afërta.
Nuk e kam idenë se ku e ka adresën. Jam shumë i sinqertë. Besoj para 3-4 muajsh apo para një viti kam folur me të. Me fëmijët nuk e di unë, me mua nuk ka kontakt. Unë jam shumë i qetë përsa i përket ndërgjegjes sime, por jam shumë i shqetësuar për ngjarjen. Personalisht jam shumë i qetë dhe nuk kam asnjë lloj problematike.”, tha Rraja.