ARRSH-ja u ka bërë thirrje pronarëve të objekteve të shpronësuara që preken nga projekti i Unazës së Re që të paraqesin dokumentet e kërkuara për të marrë lekët.
Ditën e sotme në zonën e Unazës së Re mbërritën inspektorë të IKMT-së dhe forca policie.
Banorët që kundërshtojnë projektin e zgjerimit të rrugës duke thënë se ai është një projekt korruptiv u mblodhën në zonën pranë Doganës duke u shprehur se do i mbrojnë me çdo kusht banesat e tyre.
Njoftimi i ARRSH-së
Në kuadër të realizimit të projektit “Rehabilitimi i Segmentit Rrugor ‘Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja’”, njoftojmë të gjithë pronarët e pasurive pronë private, të cilët janë shpronësuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.231 Datë 17.04.2019, të dorëzojnë dokumetacionin për tërheqjen e vlerës për shpronësim, sipas dokumentacionit në vijim:
- Çertifikatën e pasurisë (fotokopje të noterizuar).
- Kartelën e pasurisë (të rifreskuar pranë Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Tiranë).
- Hartën e pasurisë (të rifreskuar pranë Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Tiranë).
- Numër llogarie (Iban), në emër të pronarit të pasurisë, ose prokurë të posaçme për personat e autorizuar për tërheqjen e vlerës.
- Kopje të kartës së identitetit.
Dokumentacioni mund të dorëzohet pranë Autoritetit Rrugor Shqiptarë, ose nëpërmjet postës. Adresa: Rruga “Sami Frashëri”,nr.3, Tiranë, ++355 4 2223300