Ronald Koeman, Marcelo Gallardo dhe Erik Ten Hag janë tre trajnerët e mundshëm për ta zëvendësuar Ernesto Valverden në postin e trajnerit të Barcelonës.
Barazimi pa gola në Camp Nou kundër Slavia Pragës në Ligën e Kampionëve të martën, ka bërë që presioni ndaj Valverdes të vazhdojë të rritet, transmeton Gazeta Express.
Gjiganti katalonas po kalon nëpër një periudhë të çuditshme dhe gazeta e afërt me klubin, Mundo Deportivo, i ka bërë të ditur emrat e kandidatëve të mundshëm për pasuesin e ish-trajnerit të Athletic Bilbaos.
Koeman, momentalisht trajner i ekipit kombëtar të Holandës, është opsioni më i mundshëm, duke qenë se është legjendë e Barcelonës dhe e njeh shumë mirë klubin.
Megjithatë, ai nuk mund ta marrë drejtimin e katalonasve para përfundimit të Kampionatit Evropian 2020.
Opsioni i dytë është Gallardo, i cili i ka fituar dy tituj të Copa Libertadores që prej vitit 2015 me River Plate. Bordi i Barçës e pëlqen stilin e lojës së tij.
Opsioni i tretë është Ten Hag i Ajaxit. Ai e udhëhoqi klubin holandez drejt gjysmëfinales në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar duke i eliminuar Real Madridin dhe Juventusin gjatë rrugës.