Kontratat e dhëna me koncesion në vite në sektorë të ndryshëm të ekonomisë kanë arritur në 643 miliardë lekë, ose rreth 5 miliardë euro, sipas një tabele “Lista dhe vlera e koncesioneve aktive 2020” të Ministrisë së Financave, botuar në projektbuxhetin 2020 (tabela e plotë në fund). Kjo shumë është sa rreth 36% e Prodhimit të Brendshëm bruto (PBB).
64% e kësaj shume, ose rreth 411 miliardë lekë (rreth 3 miliardë euro) e përbëjnë koncesionet e dhëna në sektorin e energjisë, për ndërtimin e 185 hidrocentraleve, ku më i madh është HEC i Devoll me vlerë kontrate 130 miliardë lekë. Por, këto kontrata janë investime private të koncesionarëve për ndërtimin e hidrocentraleve dhe nuk marrin pagesa nga buxheti i shtetit, por nga shitja e energjisë.
Ndërsa rreth 2 miliardë euro janë kontrata koncesionare, të cilat do të paguhen gradualisht nga buxheti i shtetit për dy dekadat e ardhshme, ku peshën kryesore e zënë ato të rrugëve, shëndetësisë, inceneratorërëve, skanimit në dogana dhe infrastrukturës shkollore në kryeqytet.
Për këto kontrata përvoja po tregon se rrezikun e ka marrë tërësisht përsipër shteti, ndërsa koncesionarët janë të garantuar pasi ata po marrin pagesa edhe për shërbime të pakryera, gjë që është e parashikuara në kontratë (psh si në rastin e check up, ku koncesionari paguhet për një numër të caktuar kontrollesh kryhen apo jo ato apo të rrugës Durrës-Kukës, ku kompensohet mungesa e trafikut deri në një numër të caktuar).
Rrugët, 1.1 miliardë euro, si po fryhen pagesat
Projektet e rrugëve të firmosura tashmë arrijnë në 141 miliardë lekë (1.1 mld euro), ku rreth 70% të kësaj shume e zënë kontratat e reja të rrugëve në ndërtim, ose që priten të ndërtohen së shpejti, konkretisht Rruga e Arbrit, Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren.
Për rrugën e Arbrit, shifra e dhënë në tabelë është 58.1 miliardë lekë, ose rreth 460 milionë euro. Ndërkohë, në formularin e njoftimit të ofertuesit të përzgjedhur, në datë 31.10.2017, Gjoka Konstruksion kishte ofruar 33.6 miliardë lekë për “Dhënie me koncesion/ PPP i ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes së rrugës së Arbrit”, që duke përfshirë dhe TVSH-në arrin në 40 miliardë lekë. Po 40 miliardë lekë është dhe shuma e parashikuar si mbështetje buxhetore në një tabelë të mëparshme të Ministrisë së Financave për listën e koncesioneve/PPP me mbështetje buxhetore: Ndërsa në tabelën e re, vlera e paraqitur është 45% më e lartë.
Një tjetër kontratë me vlerë të rritur është ajo e Orikum -Dukat, që në tabelat e projektbuxhetit 2020 parashikohet të arrijë në 9.5 miliardë lekë, ndërkohë që kontrata e fituar nga kompania ishte 50 milionë euro (60 mln euro me TVSH), ose rreth 7.6 miliardë lekë. Rritja është 23%.
Për kontratën tjetër të Milot-Balldren, shuma e parashikuar është 29.3 miliardë lekë.
Shëndetësia, 185 milionë euro koncesione
Kontratat e shëndetësisë arrijnë në 23.5 miliardë lekë, për 4 projekte:
-Ofrimi i setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimi i mbetjeve biologjike dhe dezinfektimi i sallave kirurgjikale, 12.3 miliardë lekë;
-Shërbimi i Hemodializës, 1.14 miliardë lekë;
-Për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 40-65 vjeç, 8.76 miliardë lekë;
-Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës, 1,29 miliardë lekë.
E paqartë vlera e kontratave për inceneratorët
Tabelat e reja parashikojnë që vlera e kontratave për tre inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës të jetë rreth 25 miliardë lekë, ku 18.4 miliardë lekë i përkasin projektit për ndërtimin e landfillit inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike.
Ndërsa në tabelat e mëparshme të financave, pagesat deri në vitin 2046 për inceneratorin e Tiranës do të arrijnë në 39 miliardë lekë. Edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur problematika të shumta në kontratën e inceneratorit të Tiranës, duke filluar nga analiza nëse dhënia e projektit me koncesion paraqet vlerë më të mirë për para në krahasim me metodën e prokurimit publik, mosrespektimi i tavaneve buxhetore deri te mosllogaritja e risqeve të kursit të këmbimit dhe inflacionit.
120 milionë euro pagesa në 2020
Qytetarët shqiptarë do të paguajnë nëpërmjet taksave të tyre në buxhetin 2020 mbi 14.6 miliardë lekë (rreth 120 milionë euro) si pagesa për 14 kontratat koncensionare me PPP. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave kjo shumë është 15.8 për qind më e lartë se pritshmëria e këtij viti.
Pagesat më të larta do të bëhen ndaj kontratës PPP për ndërtimin e rrugës së Arbrit, ku në vitin 2020 qeveria do të paguajë 3.9 miliardë lekë ose rreth 50 për qind më të lartë se të këtij viti.
Koncesioni i dytë më pagesën më të madhe është ai i sterilizimit në sallat e operacionit, ku janë programuar të paguhen rreth 1.6 miliardë lekë, një shumë e njëjtë si këtë vit. Por sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor pagesat ndaj kësaj kontrate vitin e kaluar ishin mbi 2 miliardë lekë për shkak se janë bërë operacione më shumë se parashikimi.
Koncesioni i tretë më i madh që merr pagesat nga buxheti i shtetit, është shërbimi i skanimit në dogana me rreth 1,5 miliardë lekë, i nënshkruar nga qeveria Berisha që në vitin 2013. Pagesat për këtë koncesion janë të njëjta me ato të një viti më parë.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al
TABELA: LISTA DHE VLERA E KONCESIONEVE AKTIVE 2020