Kryeministri, Edi Rama, i rikthehet sërish sulmeve ngaj prokurorëve e gjykatëse që sipas tij janë bashkuar në organizatën që ai e quan “KÇK” ose “Kap Ça të Kapësh” nga frika për Vettingun.
Gjatë takimit me qytetarët në kuadër të programit të “bashkëqeverisjes”, Rama tha se qeveria po përgatit masa speciale ndaj grupit “KÇK”.
Sipas tij do të ketë masa të rrepta ndaj anëtarëve të këtij grupi.
“Sot vijon të jetë e vështirë dhe e pamundur të shkosh në gjykatë për të zgjidhur problemin. Sot jemi në kushtet kur ka nisur pastrimi i sistemit të drejtësisë. Disa që janë në sistem dhe që e dinë se nuk kalojnë vetingut, janë lëshuar KÇK. KÇK-ja është organizata më e rrezikshme kriminale që vepron në Shqipëri, sepse është e veshur me petkun e ligjit dhe funksionon si një organizatë e grabitëseve ordinerë.
Për KÇK po bëhemi gati, me një ligj special për ta çuar luftën në një nivel të pa ndodhur më parë, ne do të çojmë në parlament edhe disa masa speciale ndaj anëtarëve të krimit dhe ndaj KÇK.
Të jeni të sigurt se më herët se vonë, të gjithë do të shohin në praktikë dhe jo në fjalime, rezultatet e një ofensive frontale që qeveria do të ndërmarrë ndaj krimit, qoftë ndaj KÇK-së.”-tha Rama.