Vendosni fjalën kyçe....

Corriere Della Sera: Gjithçka për shpëtimin e Alvinit nga autoritetet italiane, shqiptarët vetëm u informuan


Kryeministri Edi Rama dha në rrjetet sociale lajmin për shpëtimin e 11-vjeçarit, Alvin Berisha, nga kampi në Siri, duke mburrur në veçanti për një skuadër speciale të ngritur nga Shqipëria. Madje publikoi edhe një foto të Alvinit me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Mirëpo mediet italiane kanë raportuar diçka krejt tjetër lidhur me operacionin e shpëtimit të fëmijës shqiptar.

“Corriere della Sera” shkruan se i gjithë operacioni që ka nisur prej dy javësh është planifikuar, organizuar dhe realizuar nga skuadra speciale e policisë italiane, Ros e Milanos dhe jo nga autoritetet shqiptare të cilat vetëm janë informuar.

Sipas saj, për të marrë vogëlushin nga kampi sirian, janë nisur nga Italia pak ditë më parë për të shoqëruar të miturin, një skuadër me 5 policë, 3 nga SCIP (Shërbimi i Interforcës për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë) dhe 2 nga ROS (Forcat Speciale të Karabinierëve).

‘Corriere’ shkruan më tej se operacioni për shpëtimin e Alvin Berishës është  nisur dhe ka përfunduar nga bashkëpunimi mes Kryqit të Kuq Italian dhe Gjysmëhënës së Kuqe ndërkombëtare, të vetmet autoritete që kanë mundur të futen në kampin e Al-Hol.

“Një operacion aspak i lehtë. Kjo në shumë aspekte. Për të tërhequr këtë fëmijë (Alvin Berishën) është krijuar një korridor special humanitar, në territorin kurd, atë sirian, më pas fëmija është dërguar në Liban dhe do të sillet në Itali, gjatë një periudhe me vështirësi të mëdha në të gjithë zonën.

Fëmijë në këtë kamp, (që mikëpret 70 mijë njerëz) ka diçka më shumë se 40 mijë. Dhe mes tyre ishte edhe Alvin, djali i një luftëtareje, i konsideruar edhe si ‘fëmija’ i ISIS. Edhe për këto arsye, ka pasur frikë deri në fund, se ndonjëri nga korridoret e krijuara për kalimin e tij, mund të mos shkonte siç ishte parashikuar.

Operacioni është ideuar dhe zhvilluar në terren nga një skuadër speciale e Ros të Milanos. Alvin Berisha, pas pak ditësh do të dëgjohet në një seancë speciale të mbyllur, për të parë nëse do të ofrojë ndonjë informacion në lidhje me aktivitetin e terroristëve në Siri dhe vdekjen e nënës së tij.

Edhe pse Alvini është qytetar shqiptar, gjithçka është planifikuar dhe zhvilluar nga autoritetet italiane për arsyen se, ai është rrëmbyer nga nëna e tij në terroritorin italian, duke përfshirë edhe faktin se ai është lindur dhe rritur po në Itali.

Për të gjitha fazat e këtij operacioni të fshehtë të tërheqjes së Alvin Berishës, mësohet se drejtuesit italian kanë mbajtur të informuar kryeministrin e tyre, Giusepre Konte dhe autoritetet shqiptare”, shkruan gazeta italiane.

Fëmija shqiptar kaloi 5 vjet në Siri, ku u dërgua nga nëna e tij, e cila u bë luftëtare e ISIS-it. Pas vdekjes së nënës Alvin mbeti i vetëm në kamp por më në fund momentet e terrorit për të do të marrin fund. Ai do të kthehet në Itali. Në orën 17:00 sot pasdite Alvin ka fluturimin për në Romë, ku ai më në fund do të jetë në gjendje të përqafojë përsëri babanë e tij dhe dy motrat. Ndërkohë kanë qarkulluar edhe pamjet e para të Alvinit jashtë kampit në Siri./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *