Dy ish-punonjës të rrjetit social, Twitter janë akuzuar në Shtetet e Bashkuara se kanë spiunuar për Arabinë Saudite.
“BBC” shkruan se në akuzat e ngritura në San Francisko dyshohet se agjentët sauditë kanë kërkuar informacion personal për përdoruesit e Twitter-it, duke përfshirë edhe kritikët e njohur të qeverisë saudite.
Dokumentet e gjykatës kanë identifikuar të dy personat si Ahmad Abouammo, shtetas amerikan dhe Ali Alzabarah nga Arabia Saudite. Personi i tretë, qytetar saudit, Ahmed Almutairi, po ashtu është akuzuar për spiunim.
Sipas “The New York Times” kjo është hera e parë që qytetarët sauditë janë akuzuar për spiunim brenda Shteteve të Bashkuara.
Gjiganti Twitter ka thënë se ka njohuri “për shkallën në të cilën mund të arrijnë aktorët e këqij” për të minuar shërbimet e rrjetit social.
Cilat janë akuzat?
Ahmad Abouammo u paraqit në një gjykatë në Seattle të mërkurën dhe mbahet në paraburgim në pritje të një seance tjetër të premten. Ai gjithashtu akuzohet për falsifikim të dokumenteve dhe për deklarata të rreme për FBI.
Ankesa penale thotë se ai i dha FBI-së një faturë të falsifikuar, e cila akuzonte një zyrtar saudit për shpenzimin e 100,000 dollarë në “shërbime këshillimi”. Abouammo thuhet se ka lënë punën e tij si menaxher i partneritetit mediatik për Twitter në 2015.
I dyshuari tjetër, Alzabarah, një ish-inxhinier i Twitter, akuzohet se ka hyrë në të dhënat personale të më shumë se 6.000 përdoruesve të Twitter në 2015 pasi u rekrutua nga agjentët sauditë.