Një kërkues metalesh në Irlandën e Veriut zbuloi një thesar të vërtetë me monedha ari 500-vjeçare ndërsa kishte dalë për të kërkuar për unazën e humbur të një shoku të tij.
Paul Raynard shpërtheu në lot kur aparati i tij zbuloi një sasi ari me vlerë 100 mijë paund ndërsa ishte me pushime në Ballycastle në Irlandën e Veriut.
44-vjeçari gjeti plot 84 monedha, të cilat datonin në vitet 1500, në atë kohë kur ishte në pushtet Mbreti Henri VII. Babai i dy fëmijëve nga Keighley në Yorkshire tha për mediat se ky ishte një nga momentet që kishte ëndërruar për një kohë të gjatë.
“Ishte një moment që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Është njësoj si kur kontrollon numrat e biletës dhe shikon që ke fituar xhekpotin. Ende nuk mund ta besoj” deklaroi 44-vjeçari fatlum.
Çifti ishte me pushime së bashku me një mik, kur ai iu kërkoi ta ndihmonin për të gjetur unazën e tij të humbur të martesës.