Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e përshkroi NATO-n si “të vdekur në tru” dhe tha se garantuesi i saj kryesor, SHBA-ja, e ka zvogëluar përkushtimin ndaj aleancës transatlantike.
Duke folur në një intervistë për gazetën Economist, Macron përmendi “dështimin e SHBA-së” për t’u konsultuar me NATO-n përpara se të tërhiqte trupat e saj nga veriu i Sirisë.
Ai po ashtu pyeti nëse NATO-ja vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive.
“Ajo që ne po përjetojmë tani, është vdekja e trurit të NATO-s”, i tha Macron gazetës londineze.
Macron i paralajmëroi anëtarët evropianë të NATO-s se nuk mund të mbështeten më te SHBA-ja për të mbrojtur aleancën, e cila është krijuar në fillimin e Luftës së Ftohtë për të forcuar sigurinë e Evropës Perëndimore dhe të SHBA-së.
Neni pesë i Kartës themeluese të NATO-s thotë se sulmi ndaj një anëtari do të merrte përgjigje kolektive nga aleanca.
I pyetur nëse kjo vlen akoma, Macron tha: “Nuk e di”.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, një aleate kryesore, tha se nuk pajtohet me “fjalët e ashpra” të Macronit.
NATO-ja, e cili feston 70 vjet të themelimit muajin e ardhshëm, u përgjigj duke thënë se aleanca mbetet e fortë.