Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë për ‘The Economist’ se NATO-ja po përjeton ‘vdekje klinike’, ndërsa paralajmëroi vendet evropiane se nuk mund të mbështeten më te SHBA për t’u mbrojtur.
‘Ajo që ne po përjetojmë tani është vdekja klinike e NATO-s. Blloku ushtarak i udhëhequr nga SHBA-ja funksionon vetëm nëse garantuesi i mjetit të fundit funksionon si i tillë’, tha Macron i cili shtoi më tej: ‘Unë do të argumentoj se ne duhet të rivlerësojmë realitetin e asaj që është NATO-ja në dritën e angazhimit të Shteteve të Bashkuara.’
Macron tha se Uashingtoni po i kthente shpinën Europës, një veprim i cili u tregua nga tërheqja e trupave amerikane nga Siria verilindore dhe braktisja e aleatëve të tyre kurdë atje.
Presidenti u pyet nëse besonte në efektivitetin e Nenit 5 të traktatit themelues të NATO-s, i cili thotë se nëse një shtet anëtar sulmohet, të tjerët janë të detyruar ta mbrojnë.
‘Nuk e di. Cfarë do nënkuptojë Neni 5 nesër?’- tha ai.
Macron argumentoi se Europa qëndron në skajin e një gremine dhe nuk do të jetë më në kontrollin e fatit të saj, përveç nëse fillon të sillet si një fuqi gjeopolitike. Për ta bërë këtë, Evropa duhet të rimarrë sovranitetin ushtarak dhe të vazhdojë të ruajë dialogun me Moskën.
Macron ka bërë presion që Bashkimi Evropian dhe vendet perëndimore të rishikojnë rolet e tyre në botë dhe të përshtaten me realitetet e reja globale. Në gusht, ai tha se hegjemonia perëndimore ka mbaruar dhe se do të ishte gabim të përpiqesh të izolosh Rusinë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar shumë vendet anëtare të NATO-s, siç është Gjermania, për mos pagimin e duhur për mbrojtjen e bllokut.