Kryetari i Partisë Demokratike, në një reagim në Twiter në lidhje me thirrjen e ish kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli në Hagë, shkruan se askush nuk mund ta përdhosë luftën çlirimtare për Pavarësinë e Kosovës.
“Askush nuk e përdhos dot luftën çlirimtare dhe sakrificën sublime të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tij të thirrur në Hagë do ti dëshmojnë sërish botës drejtësinë e kauzës së lirisë nga pushtimi dhe shtypja çnjerëzore”-shkruan Basha.
Edhe Haradinaj më herët reagoi duke thënë se Veseli do marrë të drejtën e tij.
“Kadri Veseli, si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka luftuar kundër shtypjes dhe mizorive të Serbisë mbi popullin e Kosovës, si çdo luftëtar i lirisë, dhe do ta mbrojë pastërtinë e kësaj lufte me dinjitet. I bindur se edhe kësaj radhe do të ngadhënjejë e vërteta dhe e drejta jonë”-thotë Haradinaj.